Itali, kryqëzori po rrëshqet drejt fundit të detit

20/01/2012 09:15

Punimet e kërkimit janë ndërprerë në kryqëzorin e fundosur pjesërisht pranë ishullit italian të Xhilios, ndërsa mëngjesin e së premtes u regjistrua një shkarje e re drejt thellësive që do të mbulonin tërësisht anijen.

11 persona janë konfirmuar të vdekur, pasi “Costa Concordia” u përplas me disa shkëmbinj pranë bregdetit mëngjesin e së shtunës, por 21 të tjerë vazhdojnë të jenë zyrtarisht të zhdukur.

Aktualisht, kryqëzori ndodhet pjesërisht i fundosur, në ujra me thellësi 15-20 metra, por është shumë pranë një grope detare prej 70 metrash, drejt së cilës është duke rrëshqitur gradualisht, por në mënyrë konstante.

Disa herë më parë, operacionet e kërkimit janë ndërprerë, pasi pajisjet e sofistikuara kanë dëshmuar për lëvizjen nga vendi të anijes që në momentin e aksidentit mbante mbi 3 200 pasagjerë dhe një mijë antarë të ekuipazhit.

Mundësia e një rrëshqitje drejt fundit të detit të anijes bëhet edhe më e madhe, duke konsideruar parashikimet atmosferike, që flasin për mbërritjen në disa orë të një stuhie që do të sjellë det të trazuar dhe dallgë të forta.

Një shqetësim i madh për ekspertët është mundësia që 2 300 tonët e karburantit të rrjedhin nga serbatorët e përmbytur, duke shkaktuar kështu një dëm ekologjik. Disa anije të specializuara në thithjen e naftës në det janë pranë bregdetit, por nuk ka asnjë garanci që katastrofa ekologjike do të shmanget.

Ndërkohë, vazhdojnë hetimet ndaj kapitenit Francesco Schettino, i cili rrezikon deri në 15 vjet burgim, për shkak të vrasjes nga neglizhenca dhe braktisjes së mjetit në vështirësi.

Në marrjen në pyetje, ai ka pranuar gabimin në lundrim, por hedh poshtë spekulimet e mediave se ishte ndër të parë që braktisi kryqëzorin në vështirësi. Kompania që operonte kryqëzorin, “Costa Concordia”, gjithashtu ka konfirmuar se duket se bëhej fjalë për një gabim njerëzor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA