CEZ, 82 mln euro për blerjen e dritave

20/01/2012 08:50

Çmimi i importit të energjisë elektrike nga CEZ Shpërndarje për vitin 2012 do të jetë 62,4 euro për MWh (megavat), rreth 25 për qind më shtrenjtë nga çmimi i importit për vitin 2011, për një investim total prej 82 milion eurosh.

Lajmi u raportua në të përditshmen “Shqip” pas një vendimi të Entit Rregullator të Energjisë, ku u miratua kontrata e negociuar mes “CEZ Shpërndarje” dhe kompanisë serbe me regjistrim në Zvicër “EFT AG”.

Ky është çmimi më i lartë i importit të energjisë elektrike që nga viti 2008. Vendimi njofton se CEZ do të blejë energji për të mbuluar humbjet e njohura të energjisë dhe që teorikisht përfshihen në tarifat e klientëve fundorë.

Gjatë këtij viti, për mbulimin e humbjeve do të importohen 1.3 milion MWh me një kosto të përgjithshme prej 82 milionë eurosh.

Gjatë vitit 2011, CEZ importoi për mbulimin e humbjeve 1.3 milionë MWh me çmim mesatar prej 49.75 euro për MËh dhe me një kosto totale prej rreth 65 milionë eurosh.

Gjatë vitit 2010, kostoja mesatare e importimit të energjisë elektrike qe 45.5 euro për MWh, ndërsa çmimi maksimal është shënuar në vitin 2008 në kuotën 79 euro për MWh.

Kontratë me negocim

Si në 2011 ashtu edhe këtë vit, kontratat për importin e energjisë nga CEZ janë përfunduar me negocim, pasi tenderët e zhvilluar nuk janë përfunduar.

“Pas shqyrtimit të procedurës së prokurimit të zhvilluar nga shoqëria “CEZ shpërndarje sh.a”, si dhe duke iu referuar rregullave dhe procedurave standarde të prokurimit të energjisë elektrike nga “OSSH sh.a.”, në procesin e negocimit, realizohet kushti i parashikuar në ‘Rregulloren për procedurat standarde të prokurimit të energjisë elektrike, nga OSSH sh.a., në pikën 2.10, ku thuhet se ERE miraton lidhjen e kontratës me kusht që çmimi i pranuar në kontratë të jetë më i ulët se ai i ofertës së paraqitur në tenderin e anuluar përpara se të fillojë procedura me negocim”, – thuhet në vendimin e ERE-së.

Ekonomi e dobët, çmim i lartë

Viti 2012 parashikohet të jetë vit krize ekonomike, gjë që nënkuptonte çmime më të ulëta të importit të energjisë, siç ndodhi gjatë krizës së vitit 2009. Ekonomia e Greqisë, e cila është konsumatori më i madh i energjisë elektrike në rajon, pritet të vuajë pasojat e krizës së borxhit dhe të tkurret më tej këtë vit.

Gjatë krizës së vitit 2009, çmimi mesatar i importit të energjisë elektrike në Shqipëri ra me mbi 60 për qind në krahasim me vitin paraardhës. Por këtë vit duket se pavarësisht krizës ekonomike, çmimi i paguar do të jetë më i lartë.

Treg me bërryla

Tregtia e energjisë elektrike në Ballkan dominohet nga kontrolli i linjave të transmetimit të energjisë elektrike që kalojnë nëpër Serbi.

Energjia e importuar në Ballkanin perëndimor përgjithësisht sillet nga Bullgaria dhe Rumania, që janë vende suficitare në prodhimin e energjisë elektrike. Në këto dy vende, çmimi i energjisë është zakonisht dy herë më i lirë, por kalimi nga linjat e Serbisë e shtrenjton ndjeshëm për vendet si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi apo Kroacia.

Rritja e çmimit favorizon prodhuesit e vegjël

Rritja e çmimit të importit të energjisë elektrike pritet të nxjerrë të fituar prodhuesit e vegjël të energjisë përmes hidrocentraleve të privatizuara apo atyre të ndërtuar me koncesion, pasi formula që përcakton çmimin me të cilin këta prodhues ia shesin energjinë KESH-it, përcaktohet çdo vit me bazë çmimin mesatar të importit.

Formula e miratuar disa vite më parë, i jep prodhuesve të vegjël çmim prej 6 lekësh për kËh për vitin 2010, bazuar kjo në çmimin mesatar të importimit të vitit 2009.

Për vitin 2012 pritet që çmimi i përfituar prej tyre të rritet me së paku 25 për qind. Prodhimi privat i energjisë elektrike në Shqipëri është një treg në rritje të shpejtë, megjithëse ka nisur nga një nivel i ulët.

Gjatë vitit 2010, xhiroja e përgjithshme e prodhuesve të vegjël qe 1.1 miliardë lekë (rreth 8 milionë euro).

Gjirokastër, digjet nënstacioni

Nënstacioni i vjetër elektrik në qytetin e Gjirokastrës mori flakë mëngjesin e të enjtes, gjë që e nxori jashtë shërbimi dhe la pa furnizim me energji një pjesë të madhe të qytetit muze.

Zjarri përfshiu tetë prej kabinave të nënstacionit nga ku kalon furnizimi me energji i pjesës dërrmuese të qytetit. Ky nënstacion është ndërtuar që në kohën e Italisë fashiste dhe si pasojë e rrjetit të vjetër dhe të amortizuar ka sjellë jo pak herë probleme me furnizimin me energji elektrike të qytetarëve gjirokastritë.

Gjatë viteve të kaluara, ky nënstacion ka shënuar mjaft probleme në rrjet, ndërkohë që është përmbytur disa herë edhe nga vërshimet e lumit Drino. Temperaturat e ulta të ditëve të fundit si dhe mbingarkesat në rrjetin e shpërndarjes mendohet të jenë shkaqet e këtij zjarri.

Pavarësisht ndërhyrjes në kohë të repartit të zjarrfikësve, gjuhët e flakëve u përhapën me shpejtësi dhe pushtuan shumicën e kabinave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA