Thashethemet bëjnë mirë për shëndetin

19/01/2012 17:50

Thashethemet janë diçka e mirë për shëndetin. Ky është përfundimi i një studimi të çuditshëm rreth sjelljes së njerëzve.

Ndryshe nga bisedat e zakonshme, përfolja e një personi të tretë sjell efekte pozitive si për personin që përhap thashethemet, ashtu edhe për shoqërinë në një koncept më të gjerë.

Një ekspert i Universitetit të Bërklit në Kaliforni, SHBA, kreu disa testime që treguan se të flasësh për persona të tretë ka një efekt të menjëhershëm mbi nivelin e stresit të një personi.

Studimi u fokusua në një lloj të veçantë të thashethemeve, që është përhapja e informacioneve për njerëz të cilëve nuk mund t’u besosh në fjalë dhe që kanë dëmtuar dikë më përpara duke thënë gjëra të pavërteta.

51 vullnetarë u ndanë në grupe, duke interpretuar tre role të ndryshme, personin negativ, dëgjuesin dhe përhapësin e informacionit. Nga vëzhgimi, u konstatua si rrahjet e zemrës rriten dhe ankthi shtohet kur duhet të mashtrosh për të dëmtuar dikë, ndërsa ata që bisedojnë për një person të tretë me miqtë e tyre kishin një dozë të shtuar qetësimi dhe një puls më të ulët të zemrës.

”Thashethemet përmirësojnë ndienjat negative të njeriut dhe na bëjnë të ndihemi më mirë”, u shpreh Robb Willer, një psikolog dhe bashkëautor i studimit.

Sipas tij, efekti pozitiv nuk është vetëm ai i matshëm fizik, pasi pasojat janë edhe sociale. Thashethemet janë një mënyrë efikase për të krijuar një mendim rreth femomeneve të caktuara dhe ndonëse shpesh herë ato janë kritike, sipas Willer, ndihmojnë në gjetjen e ekuilibrave moralë e socialë, thjesht duke mësuar nga përvoja e personave të tretë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA