Shefat e shtabeve të përgjithshme të vendeve anëtare të NATO-s përfunduan takimin dy ditor në selinë e Aleancës në Bruksel, ku një prej temave të diskutuara ishte edhe situata në Kosovë, veçanërisht ajo në veriun e vendit.
Shefi i ri i Komitetit ushtarak të NATO-s, Gjenerali danez Knud Bartels, theksoi se Aleanca do të veprojë me kujdes për çdo zvogëlim të mundshëm të trupave të KFOR-it në Kosovë, për shkak të asaj që nga përvoja ai e cilësoi si një “situatë e brishtë dhe e paparashikueshme” në vend.
“Mendoj se situata në Kosovë sot mund të përkufizohet si e qetë por e brishtë. Kjo do të thotë se mund të ketë ndryshime nga një moment në tjetrin. Nga përvoja, ne e dimë se situata mund të ndryshojë shumë shpejt në atë rajon. Një gjë të tillë përjetuam në vitin 2004, kur pati një lloj shpërthimi në disa pjesë të Kosovës, për shkak të një incidenti që ndodhi në veri të lumit Ibër. Ajo që duam të sigurojmë është që zhvillime të tilla të mos ndodhin. Pra ne po përpiqemi të parandalojmë çdo lloj përkeqësimi të situatës, si dhe të krijojmë hapësirën e nevojshme për procesin politik që do të duhet të gjejë zgjidhje për ndasitë e shumicës serbe në veri të lumit Ibër, për rolin e Serbisë dhe rolin e qeverisë së Kosovës. Ne jemi atje për të ndihmuar në krijimin e kuadrit të duhur të sigurisë për zbatimin e zgjidhjeve politike”, tha Knud Bartels, Shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Sipas gjeneralit danez, detyra parësore e KFOR-it për momentin mbetet ruajtja e stabilitetit dhe garantimi i lëvizjes së lirë në veri të Kosovës.
Komiteti ushtarak i NATO-s diskutoi edhe për misionin e rolin e Aleancës në Afganistan, si edhe për kontributin e këtij Komiteti në përgatitjet e samitit të Çikagos, i cili zhvillohet në muajin maj të këtij viti në SHBA.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel