Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper do të vizitojë javën e ardhshme Beogradin.

Lajmin e ka bërë të ditur negociatori serb Borko Stefanovic, sipas të cilit në qendër të bisedimeve pritet të jetë cështja e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale.

Por Stefanovic ka deklaruar se palët nuk janë pranë zgjidhjes përfundimtare të kësaj cështjeje, e cila është edhe një kusht për Serbinë që të marrë statusin e vendit kandidat.

Kosova dhe Serbia nisën procesin e bisedimeve për cështjet teknike në mars të vitit të kaluar dhe që prej atëherë janë zhvilluar disa raunde nën mbikëqyrjen e BE-së.

Ditën e djeshme ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt deklaroi se Brukseli pret të shohë më shumë progres në procesin e bisedimeve.

“Ne do të ndjekim me vëmendje dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe po ashtu situatën në veri të Kosovës”, tha Bildt gjatë një vizite në Zagreb.

Një apel analog për më shumë progres në bisedime bëri para pak ditësh edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i cili i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vijojnë dialogun mes tyre duke treguar më shumë fleksibilitet.

Westerwelle deklaroi se është në interes të dy palëve dhe gjithë rajonit që në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE të arrihet sa më shpejt progres për cështjet teknike.

“Duhet arritje e shpejtë e progresit në bisedime, pasi kjo është në interes të Kosovës, Serbisë dhe gjithë stabilitetit rajonal”, tha Westerwelle.

Bisedimet për cështjet teknike mes Kosovës dhe Serbisë pritet të rifillojnë më vonë gjatë janarit dhe në qendër të tyre do të jenë tre cështje: energjitika, telekomunikacioni dhe përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale e më gjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA