Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci hap dyert për krerët e lëvizjes Vetëvendosje. Ai në mbledhjen e qeverisë ftoi Vetëvendosjen që të kthehet në institucione, sic tha ai, për t’i sqaruar dilemat dhe dallimet.
Shefi i ekzekutivit kosovar vetëm tri ditë para protestës së 22 janarit tha se vizioni europian i Kosovës nuk ndërtohet nëpërmjet bllokadave dhe duke e definuar veten kundër të tjerëve.
“Bllokimi i rrugëve bie ndesh me vizionin evropian të Kosovës. Unë jam i gatishëm për t’u takuar me liderët e Vetëvendosjes në zyrën time”, deklaroi Thaci.
Thaci tha se të enjten vjen në Prishtinë komisionerja e Brendshme e Komisionit Europian, Cecilia Malmstrom, me c’rast do të nisë dialogu për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.
Një lajm që bëri bujë një ditë më parë në Prishtinë ishte ai per emërimet e reja në klinikat e Qendrës Klinike Universitare ku drejtor i Urologjisë u emërua edhe Lutfi Dervishi, i akuzuar për krim të organizuar.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani njoftoi kryeministrin Thaci se ka anuluar këtë konkurs pikërisht për shkak të shkeljeve ligjore.
Qeveria kosovare realizoi premtimin parazgjedhor për heqjen e TVSH-së për mediat, universitetet private dhe shërbimet spitalore. Kjo bëhet nëpërmjet hartimit të ligjit i cili do të hyjë në fuqi vetëm pasi t’i kalojë procedurat parlamentare.
VV: Zyra e Thacit, zyra e dhunës
“Zyra e kryeministrit është zyrë e dhunës!”. Kjo është përgjigjia që lëvizja Vetëvendosje i jep ftesës së kryeministrit Hashim Thaci për t’Izgjidhur dilemat dhe dallimet në institucione.
“Zyra e kryeministrisë është zyra ku janë përgatitur dhuna e qeverisë me klanin e Thacit. Kjo është zyra e dhunës ndaj manifestimeve paqësore”, deklaron Dardan Molliqaj, anëtar i VV.
Për Vetëvendosjen, Thaci duhet të zbatojë vendimet e Kuvendit të Kosovës dhe jo të merret me këtë lëvizje. “Ne nuk kemi punë me Thacin, ai nuk ka për detyrë të merret me Vetëvendosjen, por të respektojë vendimet e Parlamentit”, thekson Molliqaj.
Lëvizja Vetëvendosje kësisoj edhe pas thirrjes së kryeministrit qëndron e palëkundur në vendimin e saj për të vijuar protestën “Serbia nuk kalon” më datë 22 janar, sërish në Merdare e Dhe të Bardhë.
Top Channel