Aleanca kundër importit të plehrave ka mbledhur në qytetin e Vlorës firmat për mbajtjen e një referendumi kundër ligjit që lejon importet.
Drejtuesit e aleancës ishin në ambjentet e Teatrit Petro Marko në një takim me qytetarë, nxënës, studentë. Emra të njohur kanë referuar kundër këtij ligji dhe kanë kërkuar angazhimin e të gjithëve për të penguar kthimin e vendit në një kosh mbeturinash.
Drejtuesit e kësaj aleance deklaruan se jo më kot është zgjedhur qyteti i Vlorës për të nisur këtë nisëm, sepse në vitin 2006 këtu mori jetë protesta dhe firmosja e një peticioni me 14 mijë firma që kundërshtonte ndërtimin e një termocentrali dhe të parkut energjitik.
Mbas takimit dhjetra qytetarë të Vlorës kanë firmosur kërkesën për mbajtjen e këtij referendumi kundër importit të mbeturinave.
Mbledhja e firmave nisi më herët gjatë muajit, ndërkohë që përvec kësaj nisme aleanca nisi edhe zhvillimin e një anketimi mbi ligjin e menaxhimit te mbetjeve, i cili është shtrirë në 600 familje.
Vetëm para pak ditësh, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu i konsideroi përpjekjet për organizimin e një referendumi popullor, si përpjekje politike për interesa të Partisë Socialiste.
“Për fatin e keq, ka një grup njerëzish të interesuar që ta kthejnë në cështje politike duke abuzuar me mënyrën si etiketohet ligji. Do të thosha se është kthyer në një grup që është tërësisht nën kontrollin e PS. Do ishte mirë që PS ta ndërmarrë këtë referendum si parti dhe jo me zëdhënës që nxjerr herë pas herë për të mbështetur këtë referendum”, deklaroi Mediu.
Top Channel