Kanë vazhduar gati pa pushim kërkimet e personave brenda anijes së madhe turistike Costa Concordia e cila mbrëmjen e të premtes së kaluar u mbyt në afërsi të Ishillit të Giglio në bregdetin e Toscanës.
Gjatë ditës së sotme polumbarët gjetën pesë trupa të tjerë në mjediset e anijës. E kështu bilanci i fatkeqësisë rëndohet me 11 viktima dhe 24 persona që rezultojnë të zhdukur.
Me kalimin e orëve shpresat për gjejtjen në jetë të të zhdukurve pakësohen, megjithatë po punohet për të arritur në të gjitha cepat e anijes, madje për të lehtësuar kërkimet janë përdorur sasi të vogla lëndësh shpërthyese për të hapur kalimet.
Ndërkohë është marrë në pyetje kapiteni i anijes i cili akuzohet për vrasje, mbytje të anijes dhe braktisje të saj para se të shpëtoheshin pasagjerët dhe ekuipazhi.
Sipas prokurorit që po ndjek rastin, kapiteni rrezikon deri në 15 vjet burgim. Sot mediat kanë nxjerrë regjistrimin e telefonatave që kapiteneria e portit i ka bërë kapitenit Francesco Scettino pasi ai ishte larguar nga anija dhe urdhërat që i janë dhënë për t’u kthyer në bord.
Edhe pa dalë në gjyq e pa u dhënë vendimi, tanimë është e sigurt që aksidenti i rëndë është shkaktuar nga një manovër e gabuar, e pashpjegueshme dhe e pafalshme e kapitenit.
Me sa duket pas përplasjes atij nuk i është bindur më as ekuipazhi, i cili ka filluar proçedurat e evakuimit pa urdhërin e tij, duke shpëtuar kështu jetën e mbi 4000 personave që ndodheshin në anije.
Top Channel