Piloti shqiptaro-amerikan që lobon me avionin e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës, James Berisha, është liruar nga autoritetet e Eritreas, ku mbahej i burgosur.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave lirimi ka ardhur si rezultat i ndërhyrjes së numrit dy të qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacollit.
Vetë zyra e Pacollit njoftoi ditë më parë se zëvendëskryeministri do të zhvillonte një vizitë njëditore në Tunizi dhe më pas në vendin afrikan ku mbahej i burgosur piloti shqiptar.
Deri para pak ditësh, fati i pilotit James Berisha kishte mbetur në udhëkryq, pasi familjarët e tij kishin humbur cdo kontakt me të dhe nuk kishin asnjë informacion.
Në kuadër të fushatës së tij lobuese për shtetin e ri të Kosovës, Berisha kishte ndaluar në Eritre në muajin tetor të vitit të kaluar, ku dhe ishte arrestuar e burgosur nga autoritetet e këtij vendi.
Vetë zoti Pacolli kishte premtuar pak kohë më parë angazhimin e tij për lirimin e pilotit shqiptaro-amerikan, që drejton grupin e tij “Flying for Kosovo”.
Top Channel