Mes himnit kombëtar në sfond janë çelur në Shkup manifestimet për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, ku ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.

Bashkë me drejtuesit e BDI-së, Basha fillimisht ka vendosur lule pranë bustit të Skënderbeut, ndërsa më pas ka marrë pjesë edhe në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e sheshit ‘Skënderbeu’ në Shkup.

”Sigurisht, ky shesh ka një simbolikë të veçantë për mua si kryetar i Tiranës. Sheshi Skenderbej, emri Skënderbeu, statuja e tij i bën nder çdo qyteti europian. Me kënaqësinë më të madhe pres që bashkëpunimi me të gjitha komunat dhe bashkitë e shqiptarëve në Maqedoni ta shtrijmë në rrafshe kombëtare nga e cila do të përfitojnë më shumë vëllezërit dhe motrat tona në Maqedoni”, theksoi kryebashkiaku Basha.

”Me këtë rast dua të falenderoj edhe prezencën e Kryetarit të Tiranës, që ka nderuar jo vetëm njerëzit prezentë këtu, por të gjithë shqiptarët e Maqedonisë në këtë ditë dhe rast të veçantë”, u përgjigj kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Vizitën e tij në Shkup, Basha e nisi me një takim me kreun e PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi. Ky i fundit tha se është në koordinim të vazhdueshëm me kryetarin e Këshillit Qendror për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ndërsa Këshillin e formuar në Maqedoni e quajti këshill partiak të BDI-së.

Mendoj se shqiptarëve të Shqipërisë iu takon që të jenë shumë të lumtur për këtë 100-vjetor. Shqiptarët e Maqedonisë, atë lumturi duhet ta kenë të përgjysmuar se ne kemi patur 100 vjet vuajtje që ngelëm jashtë shtetit shqiptar”, tha Thaçi.

Thaçi dhe Basha kanë folur edhe për forcimin e bashkëpunimit mes bashkisë së Tiranës dhe komunës së Tetovës që drejtohet nga PDSH.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA