Schultz, presidenti i ri i Parlamentit Europian

17/01/2012 00:00

Martin Schultz u zgjodh President i Parlamentit Europian, me 387 pro nga 670 vota të regjistruara në një seancë plenare në Strasburg, gjatë së martës.

Sipas marrëveshjes në mes dy grupimeve kryesore politike, i majti Schultz zëvendëson të djathin Jerzy Buzek, në drejtimin e njërit prej tre institucioneve më të rëndësishme europiane gjatë gjysmës së dytë, deri në përfundimin e legjislaturës aktuale.

Social-demokrati gjerman Martin Schultz, eurodeputet prej vitit 1994, drejtonte grupimin e majtë në Parlamentin Europian që prej vitit 2004. Për europianët, Schultz mbahet mend për përplasjen me kryeministrin Berlusconi ndërsa kritikonte presidencën italiane të BE së në vitin 2003.

Atëherë, i irrituar nga kritikat e së majtës, ish-kryeministri italian Berlusconi e ftoi që të merrte përsipër rolin e një udhëheqësi nazist, në një film që po xhirohej në Itali për Luftën e Dytë Botërore.


“Zoti Shulc, di që në Itali është një prodhues filmash që po monton
diçka mbi kampet e përqëndrimit nazist. Do t’ju sugjeroj për rolin e
kapos. Jeni perfekt për të”, tha Berlusconi.

“Nuk do të më nevojiten 3 minutat se do t’i bie shkurt. Zoti Berluskoni tha, nëse përkthimi ishte korrekt, se në Itali po xhirohet një film mbi kampet e përqëndrimit e ai më ftonte për të interpretuar rolin e KAPO-s, shefit të SS. Unë them vetëm një gjë: repekti që kam për viktimat e nazifashizmit, më ndalon t’i përgjigjem çfarëdolloj komenti, por ajo çfarë kam të qartë është pamundësia për të pranuar kritikat nga Presidenti i Këshillit të BE-së gjatë ushtrimit të këtij fuksioni. Sapo ai duhet të përballet me kundërshtimin më minimal, ai humbet vetëpërmbajtjen në mënyrë të tillë”, iu përgjigj Shulc, Berluskonit.


Për shqiptarët, Schultz njihet, ndër të tjera, edhe si një prej organizatorëve të takimit të Strasburgut Berisha-Rama, në darkën e shumëpërfolur të “Krokodilit”, një inisiativë kjo që dështoi për zgjidhjen e krizës politike shqiptare.

Top Channel