Rusia ritheksoi qëndrimin e saj kundër sanksioneve të reja për eksportin iranian të naftës, ndërsa paralajmëroi se do të bllokojë çdo nismë të këtij lloji nëpërmjet të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit në OKB.
”Ne besojmë se sanksionet mbi Iranin e kanë humbur dobinë e tyre dhe si rrjedhojë do të kundërshtojmë çdo rezolutë në këtë drejtim”, u shpreh Zvs/Ministri i Jashtëm i Rusisë, Gennady Gatilov, gjatë një konference për shtyp në Moskë.
Në fjalën e tij, Gatilov, përsëriti gjithashtu se Kremlini do të kundërshtojë me vendosmëri çdo ndërhyrje të armatosur mbi Iranin.
”Çdo ndërhyrje ushtarake ndaj Iranit është e papranueshme. Ajo vetëm sa do të bënte situatën në rajonin edhe më kritike”, citonte funskionarin e lartë Agjensia “RIA Novosti”.
Në një deklaratë të mëparshme, Moska zyrtare e kishte cilësuar të papranueshme një embargo të mundshme, edhe nëse vërtetohet që Irani është duke kryer procesin e pasurimit të uraniumit.
Shtetet e Bashkuara vendosën më parë gjatë janarit sanksione të njëanshme ndaj produkteve iraniane dhe kërcënuan me bllokimin e aseteve të të gjitha firmave amerikane dhe të huaja që kryejnë transaksione ekonomike me Iranin.
Pas pezullimit të së drejtës të operimit në tregun amerikan të një firme kineze karburantesh për këtë arsye, Pekini zyrtar sulmoi ashpër amerikanët, për atë që ata e konsideruan si një “qëndrim arbitrar” dhe në kundërshtim të të gjitha normave të së drejtës ndërkombëtare.
Top Channel