Republikanët, Romney nën sulm nga rivalët

17/01/2012 00:00

Kandidati republikan për në zgjedhjet presidenciale të SHBA, Mitt Romney
është sulmuar ashpër nga rivalët e tij në debatin e fundit televiziv.

Ai u detyrua të mbronte punën e tij në sektorin privat dhe punën e bërë gjatë kohës që ka qenë guvernator i Masacusetsit, teksa përballej kokë më kokë me pesë kandidatët e tjerë.

Debati në fjalë ishte një nga mundësitë e fundit për rivalët e tij që të kontrollonin temperamentin e tij para zgjedhjeve primare që do të mbahen në Karolinën e Jugut ditën e shtunë.

Sondazhet e reja e shohin Romney-n në krye të renditjes në këtë shtet dhe po ashtu edhe në rang kombëtar. Rivalët po përpiqen të fitojnë emërimin e Partisë Republikane për t’u përballur me presidentin Barack Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se zoti Romney mund të mos ndalet më nëse fiton edhe në Karolinën e Jugut, pas fitores në Nju Hempshër dhe Ajoua. Në tre dekadat e fundit asnjë republikan nuk e ka fituar kandidaturën pa fituar në Karolinën e Jugut.

Më herët gjatë ditës së hënë, guvernatori i Jutah, Jon Huntsman u tërhoq nga gara duke deklaruar se ajo kishte degraduar në sulme “toksike” dhe personale.

Zoti Romney iu përgjigj sulmeve gjatë debatit me rivalët Rick Santorum, Newt Gingrich, Rick Perry dhe Ron Paul.

Ish-guvernatori i Masacusetsit u detyrua të mbronte punën e tij të bërë në një kompani private, “Bain Capital”, pavarësisht lëvizjeve të Gingrich, ish-zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, dhe Rick Parry, guvernator i Teksasit.

Top Channel