Historia e një martese që përfundoi në thikë

17/01/2012 18:45

Familja Buraku prej pesë vitesh banonte në një apartament modest në katin e pestë të një pallati në Rubik! Ajo banesë ishte blerë me sakrifica të përbashkëta të çiftit Ilirjan dhe Diana! Ajo mësuese, ai për shumë kohë emigrant! Ishin shpërngulur aty që kur vajzën e kishin 12 vjeç ndërsa djalin 5! Fëmijë të mbarë që ndanin skamjen e përbashkët me prindërit e tyre!

Varfëria luajti shakanë e radhës në banesën Buraku! Nervat nuk mbajnë më kur vihet në diskutim buka e gojës!  

Portreti i familjes është shumë i thjeshtë. Të ardhur nga një zonë akoma më e thellë me dy fëmijë për të rritur dhe shuplaka hallesh për të përballuar çdo ditë pa pushim përfshi të dielën!

Mësuese Diana ishte e vetmja që mbante në shtëpi katër frymë me nevoja për veshmbathje, ushqim dhe pak kënaqësi tek alkooli ku strehohej bashkëshorti!

Marrëdhënia nuk ishte më si dikur, kohë në të cilat kryefamiljari Ilirjan ishte ai që siguronte nevojat e përditshme!
 
“Ishte një familje e qetë, nuk kemi pasur shqetësime. Jemi habitur me këtë që ka ndodhur, është diçka shumë e shëmtuar”, tregon fqinja e familjes Buraku.

Kjo banesë duhej të ishte streha e katër shpirtrave, por u kthye në ferrin e katër fatkeqëve! Arsye mund të listohen pa fund, por justifikime nuk ka për një bashkëshort që dhunonte gruan e tij me të cilën kishte sjellë në jetë dy fëmijë dëshmitarë të pafajshëm të një agonie të pambarimtë! Dhuna brenda mureve të shtëpisë ishte kthyer në bazë ditore, gati zëvendësonte ndonjërin nga vaktet që mungonte në tavolinë! Diana Buraku nuk e përballoi dot më këtë gjendje dhe iu drejtua gjykatës! Në Lezhë po zhvillohet procesi i divorcit ndërkohë që ajo kishte marrë dhe një urdhër-mbrojtje që e detyronte z.Buraku të qëndronte të paktën 50 metra larg banesës së tij.

E shtunë! Zgjimi ka qenë i ngadaltë në familjen Buraku! Aty jeton e vetme Diana me 2 fëmijët tashmë 17 dhe 10 vjeç! Nuk ka asgjë për të nxituar pasi e vetmja që i pret është varfëria drejt një tjetër dite të zymtë! Rreth mesditës shfaqet në derë ai që duhej të ishte kryefamiljari! Ilirjani kërkon me ngulm që të hyjë brenda. Do të takojë fëmijët! Do të pajtohet me gruan, por me mënyrën e tij çuditërisht të dhunshme të shfaqjes së dashurisë! Pas disa përpjekeve shkallmon derën! Në shtëpi situata përshkallëzohet! Fëmijët tronditen! Diana Buraku rend drejt telefonit! Policia është vetëm një thirrje larg, por thika e të shoqit është më afër!

Atë ditë më vjen djali i vogël dhe më thotë që “babi ka therur mamin dhe motrën”. Shkova sipër, mora vajzën dhe e çova në makinë. Gjatë gjithë kohës qante dhe donte nënën e saj pranë”, tregon fqinji që i gjeti i pari të plagosurat.

Thika ngulet në bark! Vajza sulet në mbrojtje të nënës! Babai i përmalluar në vend të përqafimit godet dhe atë! Dinamika e krimit është krejt e parëndësishme! Nënë e bijë janë jashtë rrezikut për jetën tashmë, por tronditja se babai dhe bashkëshorti i theri do të lërë shenjë përgjithmonë edhe nëse qepja e operacionit zhduket nga lëkura e tyre!

Urdhri i gjykatës nuk u respektua dhe një grua me një vajzë panë vdekjen me sy nga dora e burrit më të rëndësishëm në jetën e tyre! E gjithë jeta e kaluar, gëzimet, vështirësiteë hallet dhe perspektiva u shuan në tehun e ftohtë të thikës!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA