Tre persona humbën jetën në një aksident të ndodhur mbrëmjen e djeshme
në Fier. Në orën 22.00 në rrugën nacionale Fier-Vlorë, një automjet që
drejtohej nga 26-vjeçari Argent Habilaj është përplasur me një motor, që
drejtohej nga 18-vjeçari Gëzim Shkrela.
Për pasojë, adoleshenti është plagosur rëndë. Pas përplasjes me motorin, Habilaj ka humbur kontrollin e mjetit, duke përplasur në rrugë dy fëmijë, përkatësisht 8 dhe 12 vjeç. Burimet e mësipërme pohojnë se dy fëmijët kanë mbetur të vdekur në vend, ndaj trupat e tyre janë dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Fierit. Ndërsa 18 vjeçari Shkrela është shtruar në këtë spital dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Me gjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha të këtij spitali, adoleshenti nuk mundi të mbijetojë. Ai ndërroi jetë nga plagët e marra.
Drejtuesi mjetit u arrestua nga policia ndersa mesohet se aksidenti tragjik ndodhi për shkak të shpejtësisë së madhe.
Më 11 janar në vend hyri në fuqi kodi i ri rrugor, që parashikon ndëshkime më të rrepta për drejtuesit e automjeteve që shkelin ligjin, por për efektet e tij është ende herët.
Gjoba të ashpra është parashikuar të vendosen vecanërisht për tejkalimin e normave të shpejtësisë, drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, mospërdorimin e rripit të sigurisë, dhenia e automjetit një personi që nuk ka patentë, si dhe largimi nga vendi i aksidentit.
Ndryshimet në Kodin Rrugor u kritikuan para pak kohësh nga ekspertë të pavarur të sigurisë rrugore, të cilët shprehën rezervat e tyre në vecanti për kapitullin ku flitet për gjobat.
Eksperti Gëzim Hoxha dekaroi për Top Channel se nuk mund të vendosen gjoba të dyfishuara për shoferët, në një kohë që atyre nuk u ofrohet një rrugë brenda parametrave si dhe një sinjalistikë e zbatueshme.
Ndërsa drejtori i policisë rrugore, Vullnet Topalli, deklaroi në një intervistë për Top Channel se për të informuar qytetarët për ndryshimin e nivelit të gjobave, autoritetet shtetërore do të ndërmarrin një fushatë.
“Të gjitha detajet do të citohen nga punonjësit e policisë në lidhje me drejtuesit e automjeteve që shkelin normat. Por do të kemi një prononcim edhe në televizionet e vendit, që drejtuesit të njihen me ndryshimet e fundit. Është njëfarë fushate sensibilizimi për drejtuesit e automjeteve”, deklaroi Topalli.
Top Channel