
Ministria e Mbrojtjes në Britani do të njoftojë më vonë planet e saj për
një raund të dytë reduktimesh në radhët e forcave të armatosura të
Mbretërisë së Bashkuar.
Ulja e vendeve të punës do të bëhet në bazë të disa planeve shkurtimi të njoftuara më parë në kuadër të rishikimit që qeveria i bëri planit të mbrojtjes.
Ushtria pritet të njoftojë reduktime që arrijnë në 3 mijë njësi, forcat ajrore në 1 mijë dhe marina mbretërore në 500 njësi.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se iu desh të merrte vendime të vështira për t’u përballur me “gropën e zezë” në buxhetin e saj.
Në kuadër të afateve të Programit për Sigurinë dhe Mbrojtjen Strategjike, marina dhe aviacioni ushtarak do të shkurtojnë 5 mijë vende pune secila brenda vitit 2015.
BBC deklaron se ushtria, frocat ajrore dhe marina do të kërkojën vullnetarë, por shkurtimet këtë herë do të jenë të detyrueshme.
Sipas rrjetit informativ britanik, kjo masë do të ndërmerret pasi shumë persona që donin të braktisnin ushtrinë e bënë këtë në minutën e fundit dhe prespektiva për punë jashtë ushtrisë tani shihet si më e dobët.
Disa do të clirohen nga detyra, përfshirë ata që shërbejnë në vijën e parë në Afganistan, apo që po bëhen gati të kthehen në Britani prej andej.
Në kuadër të shkurtimeve të qeverisë, ushtrisë i duhet të reduktojë trupat e saj luftarake nga 100 mijë në 82 mijë brenda vitit 2020. Shkurtimi aktual pritet të prekë kategori nga ushtarët privatë deri tek brigadierët.
Një plan analog shpalli më herët gjatë muajit edhe presidenti amerikan Barack Obama, i cili deklaroi se ushtria amerikane do të hyjë në dietë, por duke ruajtur superioritetin dhe duke u përqëndruar te Azia.
Top Channel