Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vijojnë dialogun mes tyre duke treguar më shumë fleksibilitet, me qëllim arritjen e progresit.

Westerwelle ka deklaruar se është në interes të dy palëve dhe gjithë rajonit që në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE të arrihet sa më shpejt progres për cështjet teknike.

“Duhet arritje e shpejtë e progresit në bisedime, pasi kjo është në interes të Kosovës, Serbisë dhe gjithë stabilitetit rajonal”, ka thënë Westerwelle.

Këto deklarata shefi i diplomacisë gjermane i bëri pas një takimi të zhvilluar të hënën në Berlin me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Westerwelle ka theksuar se Gjermania mbështet integritetin territorial të Kosovës, perspektivën evropiane të saj dhe ka nënvizuar se ka dhënë një kontribut të vecantë për fillimin e bisedimeve për liberalizimin e vizave.

“Por që kjo të ndodhë, duhet që të plotësohen të gjitha kushtet e parashikuara”, ka deklaruar Westerwelle gjatë takimit me homologun kosovar. Nga ana e tij, ministri Enver Hoxhaj ka deklaruar se pret që këtë vit të arrihet një “progres i theksuar” në negociatat e ndërmjetësuarra nga BE mes Serbisë dhe Kosovës.

Bisedimet për cështjet teknike mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojnë më vonë gjatë janarit dhe në qendër të tyre do të jenë tre cështje: energjitika, telekomunikacioni dhe përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale e më gjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA