Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, ka më pak se një vit jetë për të jetuar dhe ai e di këtë.
Të paktën kjo është ajo që shkruan një revistë e mirënjohur braziliane, “Veja”, e cila siguron se ka
kontaktuar me burime “tejet të besueshme” të stafit mjekësor.
56-vjeçari u diagnostikua me tumor gjatë vitit të shkuar dhe udhëtoi disa herë në Kubë për t’u kuruar. Në dhjetor 2011, ai u rikthye në vend duke thënë se ishte shëruar plotësisht nga sëmundja, por gjendja e vërtetë shëndetësore e Chavezit është bërë objekt i shumë spekulimeve.
Ndonëse antarët e stafit mjekësor që kujdesen në mënyrë të përditshme për Chavez pretendojnë se ai është shëruar, një mjek që sipas revistës është në dijeni të të gjithë historisë mjekësore të presidentit theksoi se tumori i lokalizuar më parë midis shtyllës kurrizore dhe prostatit, tashmë është përhapur dhe në pjesë të tjera të trupit të tij, përfshi kockat.
Gjendja e tumorit është në një stad të tillë, sa që mjekët kubanezë duket se i kanë bërë të qartë Chavezit se sëmundja është e paoperueshme dhe se e vetmja gjë që mund të bëjnë për të është trajtimi nëpërmjet disa mjekimeve të forta, që do të zgjasin me disa muaj jetën.
Sipas mjekut anonim, ai ka refuzuar një trajtim më të specializuar në një klinikë europiane, ndërsa konsideroi se Chavez do ta ketë të vështirë të mbijetojë deri në zgjedhjet e tetorit dhe se ka fare pak gjasa që ai të jetojë deri në 2013-n.
Një muaj më parë, Chavez, i cili mbetet në pushtet që prej vitit 1999, akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kanë përdorur një teknologji të veçantë, për të përhapur tumoret midis liderave të Amerikës së Jugut.
Duke iu referuar rastit të tij, të Fernando Lugos së Paraguait, Cristina Kirchner të Argjentinës dhe Lula da Silva të Brazilit, 56-vjeçari shprehu habinë për “probabilitetin tejet të pazakontë” të prekshmërisë nga sëmundja midis liderave të vendeve latine.
Top Channel