Marrja e inerteve mbi lumin Mat në rrethin e Kurbinit, vazhdon edhe pse ndalohet me një vendim të posacëm të Këshillit të Ministrave. Edhe pse Top Channel ka denocuar disa herë këtë fakt gërryerja e këtij lumi vazhdon pa ndërprerje.
Sikur të mos mjaftonin vetëm firmat e ndërtimit që marrin materiale inerte, bashkëpunëtorë të këtij shfrytezimi të jashtëligjshëm bëhen edhe organet ligjzbatuese, të cilat nuk veprojnë përpara kësaj masakre që ndodh pothuajse gjithë ditën në lumin Mat.
Gjatë kësaj fundjave disa kamione dhe mjete të rënda gërmonin në lumin Mat. Ata punuan pa u shqetësuar nga ana e Drejtorisë së Baseneve të Lezhës si dhe inspektorëve të mbrojtjes së mjedisit.
Policët nuk ndërhynë për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, duke mos zbatuar as vendimin e Qeverisë.
Lumi Mat vazhdimisht gjatë këtyre viteve ka dalë nga shtrati i tij, duke shkaktuar përmbytje të qindra hektarëve tokë dhe shumë shtëpive të banimit. Ndërsa banoret në asnjë moment nuk janë dëmshpërblyer për dëmtimin e banesave apo të mbjellave të tyre.
Ata kanë shpëtuar gjatë këtij dimri edhe si rezultat i mos rënieve të reshjeve të mëdha edhe pse rreziku është gjithmonë evident pranë tyre.
Top Channel