Shqiptarët kanë shpenzuar më shumë para për ushqime gjatë muajit dhjetor
jo vetëm në raport me një muaj më parë, por dhe në krahasim me vitin
2010 si pasojë e rritjes së çmimeve sidomos për festat.
Në faqen zyrtare të Institutit të Statistikave është publikuar indeksi i cmimeve të konsumit për muajin dhjetor 2011 sipas të cilit, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2011, arriti 111.4 përqind kundrejt muajit Dhjetor 2007, duke shënuar një rritje prej 1.0 përqind krahasuar me muajin e mëparshëm.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit dhjetor, rritja më e madhe e çmimeve u vërejt në grupin ushqime e pije jo alkoolike prej 2.3 për qind krahasuar me muajin nëntor.
Brenda këtij grupi, rritja më e madhe e çmimeve prej 14.6 përqind u vërejt në nëngrupin ”zarzavate” përfshirë patatet.
Nga të dhënat e INSTAT rritja më e madhe e cmimeve u vërejt tek specat e kastravecat me mbi 50 përqind, e më pas renditen zarzavatet e tjera.
Çmimet në nëngrupin ”fruta” shënuan një rritje prej 2.3 përqind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të dardhëve me 9.4 përqind, mollëve me 8.1 përqind, portokallëve me 3.8 përqind, të limonave me 3.3 përqind etj.
Gjate muajit Dhjetor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupin ”qumësht, djath e veze” 1.3 përqind, ” peshk” 1.0 përqind, ”mish” 0.8, përqind, ”pije jo alkolike” 0.3 përqind, etj.
Sipas instat, Indeksi i grupit ”Veshje dhe këpucë” ka shënuar një rritje prej 0.1 përqind
Indeksi i grupit ”Pije alkolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.5 përqind , rritje kjo që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të pijeve alkoolike me 1.2 përqind.
Indeksi i grupit ”Transport” nuk ka ndryshuar, por brenda tij çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.1 përqind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 0.3 përqind.
Top Channel