Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, në një intervistë
për Top Channel, shprehet optimist se gjatë vitit 2012 Kosova do të
njihet si shtet nga vende të tjera, që ende nuk e kanë njohur.

TCH: Zoti Minister po mbushen 4 vjet qe kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Si shkon procesi i njohjes, ndërkohë që pesë vende të Bashkimit Evropian, ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

Hoxhaj: Mund të them se ka patur një progres shumë të madh me rritjen e njohjeve të Republikës së Kosovës dhe njohja e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, sot është një fenomen global dhe gjeografia e saj është globale. Por për ne është vendimtare, që pesë vende që nuk e kanë njohur ta bëjnë një gjë të tillë. Pas vendimit dhe verdiktit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që shpallja e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, këto vende nuk kanë ndonjë argument legal, juridik që të mos ta bëjnë një gjë të tillë. Zakonisht situatat e brendshme kanë detyruar secilin nga këto vende të Bashkimit Evropian, që deri më tani mos të lëvizin drejt njohjes së Kosovës.

TCH: A keni sinjale nga këto vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës, gjatë vitit 2012?

Hoxhaj
: Ne sipas kontakteve që kemi deri më tani e konsiderojmë që këtë vit mund të ketë lëvizje pozitive nga këto shtete, disa nga ato vitin e kaluar janë shprehur haptas, që mbështesin progresin në Kosovë, integrimet evropiane të Kosovës. Në disa vende ka patur ndryshime politike, meqë ka qeveri të reja, me përbërje të reja politike dhe ne po bëjmë përpjekje të mëdha që kjo do të duhet të ndodhë.

TCH: Një prej ambicjeve të qeverisë së Kosovës është edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. A besoni se gjatë këtij viti Kosova do të mund ta arrijë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje?

Hoxhaj
: Këtë vit njëri prej prioriteteve kryesore të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimi Asociimit. Vetëm atëherë kur Republika e Kosovës e nënshkruan këtë marrëveshje, relacioni ynë dhe axhenda jonë e integrimeve evropiane merr formë të mirëfilltë institucionale, ndaj edhe ne do të bëjmë përpjekje maksimale, që krahas udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe implementimit të tij, gjatë këtij viti të synojmë edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë.

TCH
: Le të ndalemi ne cështjen më të nxehtë në Kosovë, sic është ajo e Vetëvendosjes. Kemi parë qëndrimin zyrtar të vetë kryeministrit dhe prej disa kolegëve tuaj ministra për Vetëvendosjen, një gjuhë relativisht e ashpër. Përse ky ashpërsim, pse kjo gjuhë e ashpër ndaj Vetëvendosjes?

Hoxhaj: Ne nuk mendojmë se komunikimi me Serbinë duhet të ndodhë përmes rrugëve dhe ka kaluar koha kur qytetarët në Kosovë, populli në Kosovë, përmes rrugës synon të zgjidhë problemet e natyrës politike. Ne mendojmë se ajo cfarë mund të ndodhë, jo e nevojshme, nuk është demokratike dhe kushtetuese. Meqë në asnjë vend të botës, nuk janë qytetarët ata të cilët e marrin ligjin në dorë dhe vendosin në emër të ligjit, por janë institucionet legjitime, që burojnë nga vota e popullit dhe nga parlamenti i Kosovës.

TCH
: Por protesta është një element demokratik që njihet në të gjithë botën…

Hoxhaj
: Ajo se cfarë mund të them është se protestat, të cilat janë si fenomen i shprehjes së ndonjë opinioni apo mendimi të caktuar duhet të ndodhin në kuadër të kornizës ligjore dhe në kuadër të respektimit të ligjeve dhe të aspekteve të sigurisë. Një e tillë nuk ka ndodhur dhe askush nuk mund ta mohojë, askush mund veprojë në Kosovë kundër Kushtetutës, kundër ligjeve të saj dhe kundër shtetit të Kosovës.

TCH: A është e vërtetë se ka një qëndrim në bllok të të gjithë faktorit politik në Kosovë kundër Vetëvendosjes?

Hoxhaj: Mendoj që të gjitha partitë politike në Kosovë, janë deklaruar qartë dhe haptas, që askush nuk mbështet veprime të tilla, sa i përket mbylljes së pikave kufitare. Nuk ekziston ndonjë model i tillë në një vend demokratik evropian, që qytetarët dhe partitë politike synojnë që ta ushtrojnë autoritetin e shtetit, kur ekziston shteti dhe institucioni. Qëndrimi i të gjitha partive politike është shumë i qartë duke përfshirë qëndrimin e qeverisë së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA