Chavez: Nëse humb, pranoj rezultatin

14/01/2012 09:25

Presidenti venezuelian Hugo Chavez i ka thënë liderëve të opozitës se do të heqë dorë nga pushteti nëse humbet në zgjedhjet që do të mbahen në tetor.

Në fjalimin e përvitshëm para Kongresit, Chavez deklaroi se opozita nga ana e saj duhet të pranojë gjithashtu rezultatin nëse ai fiton.

Lideri i krahut të majtë, i cili qeveris Venezuelën prej 13 vitesh, po kërkon një tjetër mandat 6-vjecar në krye të shtetit të Amerikës Latine.

Ndërkohë, koalicioni opozitar do të mbajë zgjedhjet muajin e ardhshëm për të zgjedhur një kandidat të përbashkët për ta vendosur përballë tij.

Disa nga kritikët më të fuqishëm të zotit Chavez kanë sugjeruar se ai mund të mbajë pushtetin me cdo kusht edhe nëse del i humbur nga zgjedhjet.

Por presidenti tha para Asamblesë Kombëtare të mbajtur në Karakas se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, cilido qoftë ai.

“Nëse dikush nga ju do të fitojë zgjedhjet, unë do të jem i pari që do ta njohë fitoren dhe të njëjtën gjë pres që të bëni dhe ju. Në duhet të tregojmë maturinë tonë demokratike”, deklaroi Chavez.

57-vjecari tha gjithashtu se pret që viti 2012 të jetë viti i provave për Venezuelën, por ai shprehu besimin se paqja dhe respekti për institucionet kombëtare do të mbizotërojë.

Lideri venezuelian përsëriti se gjendja shëndetësore e tij është rekuperuar tërësisht, pas operacionit dhe procesit të kimioterapisë që ndoqi vitin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA