Banka Botërore po përdor aktualisht ekspertët e saj për një diagnostikim të thellë të sistemit të pensioneve në Shqipëri, pas të cilit pritet të merren vendimet e nevojshme për reformat.
Ekspertja e Bankës Botërore, Melis Guven, deklaroi dje në Tiranë se në fund të procesit, qeveria do të ketë në dorë alternativat e mundshme.
“Sistemi i pensioneve në Shqipëri përballet me disa sfida, si shumë sisteme pensionesh në të gjithë botën, veçanërisht në këto kohë”, u citua ajo nga e përditshmja “Shqip”.
“Pranimi i këtyre sfidave ka bërë që Shqipëria të kërkojë asistencë dhe mbështetje për reformën e pensioneve. Ne na duhet aktualisht të kryejmë diagnostikimin e sistemit për të parë sa i qëndrueshëm është ai financiarisht në terma afatgjatë. Bashkë me qeverinë, Banka Botërore po kryen këtë diagnozë, në mënyrë që qeveria të ndërmarrë vendime, pasi të jetë mirinformuar mbi alternativat e ndryshme”, tha Guven dje.
Sistemi i pensioneve në Shqipëri pritet të përballet me rritje më të shpejtë të numrit të përfituesve, gjë që në rast se nuk shoqërohet me rritje të numrit të kontribuuesve, do të rëndojë në financat e buxhetit të shtetit.
Qeveria, sakaq harxhon shuma të mëdha për të subvencionuar skemën e pensioneve, për shkak se kontributet e paguara nga të punësuarit nuk janë të mjaftueshëm për të mbuluar koston e pensioneve.
Numri i përfituesve të pensioneve gjatë dhjetë viteve të fundit nuk është rritur, për shkak se qeveria ka shtyrë me 6 muaj çdo vit moshën e daljes në pension, gjë që ua ka hequr mundësinë shumë të moshuarve të përfitojnë nga skema.
Por, kjo rritje graduale e përcaktuar me ligj në vitin 2002, këtë vit arrin në moshën maksimale të parashikuar. Rrjedhimisht, numri i përfituesve pritet të rritet me ritëm të plotë.
Top Channel