Pas Gjermanisë, e cila vendosi të lehtësojë procedurat për vizë për shtetasit kosovarë në fund të 2011-s, edhe disa shtete të tjera të Bashkimit Europian po shqyrtojnë një mundësi të tillë.
Kështu kanë thënë për gazetën kosovare “Zëri”, burime ndërkombëtare, sipas të cilave, një praktikë e tillë është aplikuar edhe për vendet tjera të rajonit, në periudhën kur kanë ï¬lluar bisedimet për liberalizimin e vizave.
“Kosova tashmë gjendet para hyrjes në proces të dialogut për liberalizim dhe shtetet anëtare të BE-së po e shqyrtojnë në mënyrë individuale që të ofrojnë të njëjtën gjë edhe për qytetarët e Kosovës”, thotë ky zyrtar.
Sipas të njëjtit burim, para vendimit për lehtësim vizash janë Italia, Belgjika, Franca, Suedia dhe disa të tjera. “Vende si Italia, Belgjika, Franca janë shumë afër për të njoftuar se qytetarët e Kosovës do të mundë të marrin viza me procedura shumë më të lehta, me më pak dokumente, me më pak dëshmi që zakonisht u kërkohen”, tha ai.
Nga ana e tyre, zyrtarët e Kosovës nuk e kanë paralajmëruar asnjëherë një mundësi të tillë. Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, thotë se Kosova duhet të punojë për liberalizim e jo për lehtësira.
“Unë kam këmbëngulur vazhdimisht që Kosova të hyjë në proces të liberalizimit pa rrugë të ndërmjetme. Ne duhet të punojmë shumë që t’u mundësojmë qytetarëve tanë lëvizjen pa viza, e jo lehtësim të marrjes së vizave”, tha Çitaku për “Zërin”.
Për opozitën, këto lehtësira janë të mirëseardhura, por akuzojnë qeverinë që nuk përkrah miqësinë që i ofrojnë vendet e tilla si Gjermania.
“Konsideroj që Kosova ka mjaft miq si në Europë ashtu edhe jashtë saj, të cilat provojnë që përmes mënyrave të ndryshme të lehtësojnë jetën e qytetarëve të saj. Por, Kosova ka një Qeveri që nuk e mirëpret ndihmën e tillë, sepse prioritetet e veta i ka përtej prioriteteve të shtetit”, tha Donika Kada-Bujupi, nga partia opozitare, AAK.
Në anën tjetër, për analistin Behxhet Shala, edhe sikur të ofrohen këto lehtësira, qytetarët e Kosovës janë shumë të varfër sa që nuk mund as të shfrytëzojnë vizën për të udhëtuar në Evropë.
Ndryshe, kërkesë për lehtësim të marrjes së vizave, ka bërë edhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili në një takim me ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Kristina Marti, kërkoi nga ajo që shteti i saj të lehtësojë procedura për marrjen e vizave, sidomos për biznesmenët e Kosovës.
Top Channel