Një muaj paraburgim ka qenë masa që gjykata e Prishtinës ka caktuar për katër zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, që u arrestuan të enjten.
Bëhet fjalë për sekretarin e përgjithshëm Ilir Tolaj, shefin e shërbimeve shëndetësore Hajrullah Fejza, drejtorin e departamentit të prokurimit Zenel Kuci dhe drejtorin e departamentit farmaceutik, Bekim Fusha.
Zyrtarët në fjalë u arrestuan ditën e djeshme nga policia e EULEX-it, e cila gjithashtu bastisi zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë, duke konfiskuar dokumente e kompjutera.
Prokurorët e misionit evropian për rendin dhe ligjin konfirmuan se të katër personat u arrestuan nën dyshimin se kanë kryer afera korruptive.
Njëri nga këta, Hajrullah Fejza, është emër i njohur për drejtësinë kosovare. Në vitin 2008 ai ishte shef i sektorit për shëndetin publik dhe u akuzua për vjedhje të rëndë.
Ai bashkë me mjekun Agim Xhafa akuzoheshin se kishin keqpërdorur një donacion amerikan me vlerë 100 mijë euro.
Bëhej fjalë për aparatin për operimin e perdeve të syve, që pavarësisht se ishte donacion për QKUK-në, mjekët kosovarë e kishin dërguar në një klinikë private.
Top Channel