Një zhvillim dramatik kanë marrë në Greqi negociatat e përfaqësuesve të qeverisë dhe të kreditorëve që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të bondeve greke, të ashtuquajtur PSI.

Sipas deklaratës që ka publikuar Instituti Financiar Ndërkombëtar bisedimet që janë zhvilluar në një atmosfere të tensionuar kanë dështuar dhe janë ndërprerë .

Komisioni negociues që përfaqëson Bankat Kredituese të Greqisë sqaron se ndërprerja bëhet në mënyrë që të rianalizohet natyra vullnetare e këtij programi.

Negociatat vazhduan përgjatë gjithë ditës së premte në një raund të dytë, midis përfaqësuesve të kreditorëve Charles Dalara dhe Zan Lemier nga njëra anë,  kryeministrit grek Lukas Papadhimos dhe ministrit të Financave, Evangjelos Venizellos nga ana tjetër,me objektiv themelor vendimin e samitit të BE në tetorin e kaluar, shkëmbimin e bondeve të reja dhe reduktimin në masën 50% të bondeve ekzistuese shtetërore greke që disponojnë bankat e huaja dhe ato vendase, një shumë prej gati 100 miliard euro që i falet Greqisë .

Arritja e kësaj marrëveshjeje është një parakusht së bashku me programin e masave antikrizë, që Athina të marrë në fund të marsit, një paketë ndihme prej 130 miliard euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian.

Pa keto para, qeveria greke falimenton plotësisht dhe do të detyrohet të largohet nga eurozona, ndërsa sipas agjensisë Reuters, një dështim i tillë do të jetë katastrofë për Greqinë dhe për Europën.

Borxhi grek është vlerësuar aktualisht në vetëm 20% të vlerës nga tregjet e bonove, ndërsa lihet të kuptohet se tregjet presin një reduktim përfundimtar në masën 80% të shumës së dhënë hua, dhe jo në 50% që aktualisht është në diskutim.

Ministria greke e Financave në një deklarate për shtyp ka deklaruar në mbrëmjen e së premtes, se Greqia dhe Instituti Ndërkombëtar i Financave bashkëpunojnë në një klimë besimi dhe koncepti të përbashkët dhe se ekziston dëshira e mirë dhe shpresa që negociatat të rifillojnë ditën e mërkurë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA