Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i shohin me shqetësim
veprimtaritë e planifikuara të Vetëvendosjes për datën 14 janar për të
mbyllur pikat kufitare të Kosovës në portat 3 dhe 5, si dhe për të
kufizuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave brenda Kosovës.

Përmes një deklarate të përbashkët ambasadat e Pesëshes,bën të ditur RTK, nxisin Vetëvendosjen që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës.

”Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojnë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimeve, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saja të planifikuara”, thuhet në deklaratë.

Ambasadat theksojnë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për marrëveshjet e arritura deri tash. Qëllimi strategjik i këtij procesi është për të mundësuar normalizimin gradual të gjendjes së Kosovës në rajon.

Thaçi: Jo 21 janar në Kosovë

Një ditë pas deklaratave kundër Vetëvendosjes, kryeministri i Kosovës Hashim Thaci tregohet më eksplicit kur e krahason atë që pritet të ndodhë sipas tij, me ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri.

Në një intervistë me tone më të ashpërsuara për radion “Europa e Lirë”, zoti Thaçi u shpreh:”nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që janari i Tiranës së vitit 2011 të përsëritet në Prishtinë në janarin e vitit 2012 dhe të rrezikohet e gjithë perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës”.

“Prandaj, ju e shihni edhe shembullin e Shqipërisë, se çfarë i ndodhi Shqipërisë,kur nga disa veprime jo në përputhshmëri me kushtet dhe rrethanat dhe perspektivën evropiane, i kushtuan me shtyrjen e procesit të kandidaturës për Bashkimin Evropian”, është shprehur Thaçi.

“Unë falenderoj edhe autoritetet në Tiranë që janë distancuar, edhe pozita edhe opozita, prej këtyre elementëve, e në të njëjtën kohë edhe i gjithë spektri politik kosovar,shoqëria civile, mediat, veteranët e luftës, gjithë njerëzit, gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”,  ka deklaruar kryeministri kosovar.  
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA