Zyrtarë të Policisë së Kosovës u takuan me drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje pasditen e së enjtes. Pas takimit, në një konferencë për shtyp, Vetëvendosje deklaroi se Policia e Kosovës e kishte garantuar se do t’i lejojë të grumbullohen në pikat kufitare, ndërsa kjo lëvizje në këmbim i dha garanci zyrtarëve të rendit, se protesta do të jetë paqësore dhe pa bllokada rrugësh.

Drejtuesit e lëvizjes kanë premtuar se do të bllokojnë vetëm mallrat serbe, por jo ato që vijne nga presheva apo mallrat që kalojnë tranzit në kufirin Kosove-Serbi. Sipas Vetëvendosjes kjo po bëhet me qëllim të zbatimit të mocionit të Kuvendit për reciprocitet tregtar politik e ekonomik me Serbinë.

Takimi u zhvillua në selinë e Vetëvendosjes, ndërsa paralelisht, drejtues të Vetëvendosjes nga ana tjetër zhvilluan një tubim në Pallatin e Rinisë. Glauk Konjufca në fjalën e tij tha se pushteti rrëzohet me votën e lirë. Por se janë gati për kryengritje popullore, sepse kjo qeveri sipas tij i ka rrugët e mbyllura.

“Kryeministri do të frikësojë njerëzit se mund të vriten. Ne i themi kryeministrit se dhe Gedafi ka vrarë qytetarë, por tani nuk po vret më”, tha Konjufca.

Ndërsa Albin Kurti theksoi se qeveria respekton ligjet në mënyrë selektive. Kjo tregon që Kosova nuk është Republikë Parlamentare, por qeveritare. Sipas tij Serbia ka pushtuar ekonomikisht Kosovën dhe nuk është e rastësishme se i vetmi politikan i cili është edhe deputet e të cilin e viziton kryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik është Ramiz Kelmendi dhe firma e tij e cila importon mallra nga Serbia.

Nga ana tjetër Policia e Kosovës deklaron se nuk ka pranuar që të bllokohet lëvizja e lirë as kur është fjala për mallrat serbe. Sipas ushtruesit të detyrës së ndihmës/drejtorit të përgjithshëm, Shefqet Beqaj, policia do të zbatojë Kushtetutën e Kosovës edhe në këtë pikë.

Duke folur për Top Channel përmes telefonit, Beqaj tha se policia do të njoftojë me kohë Vetëvendosjen se deri në cfarë zone mund të shtrihet protesta. Ai shtoi se nuk është rënë dakort që protestuesit të arrijnë në pikat kufitare në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA