Andrea Stefani – U bënë disa vjet që Kryeministri Sali Berisha del në mbrojtje të
zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij të akuzuar publikisht për
korrupsion apo për krime të tjera.
Dhe një nga elementet më të spikatura të kësaj avokatie kryeministrore është i famshmi “prezumimi i pafajësisë”. Ka pasur raste kur një zyrtar të hetohet i dyshuar për vrasje e megjithatë, kjo se ka penguar Berishën që ta emërojë në një detyrë të lartë në administratën publike. Justifikimi “prezumimi i pafajësisë”. Thuajse të njëjtën taktikë po përdor edhe në rastin e ish-zëvendësit të tij Ilir Meta. Berisha dha të kuptohet se pas dhënies së vendimit nga gjykata për videoskandalin, nuk do të kishte asnjë kundërshtim që Meta të bëhej përsëri pjesë e kabinetit të tij, mjafton që vetë Meta ta kishte një dëshirë të tillë. Në fakt, me një deklaratë të tillë, Berisha ka “prezumuar” pafajësinë e Metës gjë që, indirekt, është edhe një presion mbi gjykatën. Por edhe nëse gjykata do të jepte një vendim që e shpall Metën të pafajshëm a do të prezumonte një gjë e tillë edhe moralitetin e këtij politikani?
* * *
Kryeministri Berisha nuk e kupton dallimin që ekziston mes një qytetari dhe një zyrtari publik. Prezumimi i pafajësisë është mjaft i rëndësishëm në mbrojtjen e lirisë dhe të të drejtave të qytetarëve. Por nuk duhet lejuar që ky parim drejtësie të abuzohet për të mbrojtur dhe mbajtur në detyrë zyrtarë të korruptuar apo të kriminalizuar në kushtet specifike të Shqipërisë, ku dihet se drejtësia e gjen mjaft të vështirë, thuajse të pamundur, të ndëshkojë sipas ligjit zyrtarë të lartë, që në fakt janë autorët kryesorë të megakorrupsionit që ka përmbytur shtetin. Çfarë po ndodh? Ndërsa ka kapur për gryke drejtësinë dhe nuk e lejon që të ndëshkojë as edhe një zyrtar të lartë të korruptuar, Berisha po e përdor këtë pafuqinë e gjykatave dhe mosdhënien e drejtësisë nga ana e tyre, si justifikim për të promovuar zyrtarë të korruptuar. Në një shtet të vërtetë ligjor nuk mund të ndodhë kështu. Jo vetëm për faktin se në të drejtësia nuk trembet të japë drejtësi nga presionet e qeveritarëve apo edhe të një Kryeministri. Edhe në vende ku sundon ligji, ka jo pak raste kur gjykatat e kanë të pamundur që të provojnë fajësinë apo kriminalizimin e një politikani. Por edhe në këto raste, të tillë politikanë të dyshuar apo akuzuar për korrupsion dhe krime, nuk kanë mundësi të rimarrin në dorë frenat e qeverisjes publike. Pse? Sepse atë që nuk e kryen dot ligji e plotëson morali publik. Në të tilla shtete një politikan dorëhiqet nga detyra për akuza shumë më të vogla se ato që rëndojnë mbi shumë ministra të kabinetit Berisha. Dhe ndodh se prezumimi i pafajësisë nuk pi ujë në të tilla raste. Madje skepticizmi publik është shumë i madh, edhe pse gjithkush e prezumon të pafajshëm penalisht një ministër të dyshuar për krim a korrupsion, moralisht ai prezumohet si i fajshëm. Që do të thotë se nëse askush nuk mund të ndëshkohet penalisht pa një vendim gjykate po ashtu askush nuk mund të mbajë një detyrë të rëndësishme publike, edhe pse korrupsioni apo krimi i tij mund të mos jetë sanksionuar nga një vendim gjykate. Dhe aq larg shkon ky skepticizëm moral, sa edhe pasi vendimi i gjykatës i hedh poshtë akuzat për zyrtarin e lartë, moralisht ai prezumohet i padenjë për t’i besuar detyra të larta qeverisëse. Strauss-Kahn doli i pafajshëm pas skandalit seksual, por nuk e rimori vendin në krye të FMN-së. Një padrejtësi? Aspak! Por publiku ka plotësisht të drejtë që të mos ia besojë më qeverisjen e punëve të tij një zyrtari të tillë, edhe pse nuk është asnjëherë i sigurt për shkallën e drejtësisë së vendimit. Një skepticizëm që është në raport të zhdrejtë me shkallën e prestigjit që gëzon gjyqësori në publik dhe që i përcillet edhe partive politike me anë të mekanizmit të votës. Njerëzit nuk votojnë atë parti apo lider që këmbëngul të promovojë në poste të larta publike njerëz që moralisht prezumohen si të fajshëm. Në vende me shtet ligjor njerëzit nuk votojnë një lider dhe Kryeministër si Berisha, që këmbëngul me arrogancë të lërë qeverisjen në duart e njerëzve të akuzuar për korrupsion nën maskën e “prezumimit të pafajësisë”.
* * *
Dhe ç’mund të thuash për nevojën e një skepticizmi të tillë publik në një shtet si Shqipëria, ku pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë të korruptuar është bërë proverbiale deri në Bashkimin Europian? Vallë rastësi është që një nga detyrat e vëna Shqipërisë për të fituar statusin e kandidatit mbetet arritja e rekordeve konkrete në luftën kundër korrupsionit të madh? Në shtete si Shqipëria, ku korrupsioni është endemik dhe ku drejtësia që duhet ta ndëshkojë atë nuk funksionon, duhet të ishte morali publik ai që duhet të kompensonte disi këto defiçenca. Por ku të lë Berisha që nxiton të përdorë konceptin e drejtë të “prezumimit të pafajësisë” në kushtet e një shteti pa drejtësi dhe qëllimisht për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij të korruptuar? Veç krejt ndryshe nga sa thotë e bën Berisha, prezumimi i pafajësisë nuk lejon që dikush të dënohet me burg apo me gjobë për faje apo krime të paprovuara nga gjykata. Por ndërkaq ai nuk mund të bëhet “lavatriçja” e larjes së zyrtarëve të korruptuar aq më tepër në kushtet e një drejtësie inekzistente. Në këto raste, sikundër është ky i Shqipërisë dhe i Kryeministrit të saj, prezumimi i pafajësisë është prezumim i imoralitetit qeverisës.
Top Channel