Fondi Monetar Ndërkombëtar po shqyrton mundësinë që ndihma për Greqinë të jetë më shumë se 130 miliardë euro.

Lajmin e bën të ditur gazeta greke “Ta Nea”, sipas të cilës opsioni në fjalë është pjesë e marrëveshjes së arritur në takimin e fundit të vendeve të Eurozonës.

Gazeta shkruan se në bisedimet mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe shefes së FMN-së, Christin La Garde është shqyrtuar mundësia e rritjes së pakos së ndihmës për Greqinë.

“Kjo, në mënyrë për të përballuar shmangien e falimentimit dhe krizën e rëndë financiare”, njofton më tej e përditshmja prestigjoze greke.

Pikërisht Merkel i dërgoi të hënën një mesazh të fortë Athinës nga Berlini, duke i bërë thirrje që të miratojë sa më shpejt paketën financiare të radhës dhe planin për ristrukturimin ekonomik.

“Ndryshe, nuk do të jemi në gjendje që të paguajmë këstin e radhës për Greqinë”, paralajmëroi kancelarja, gjatë një konference për shtyp nga Berlini me presidentin francez Nicolas Sarkozy.

Shteti helen ndodhet në një pozitë shumë të vështirë. Pak ditë më parë kryeministri Lukas Papadhimos deklaroi se Greqia mund të falimentojë plotësisht në mars, nëse sindikatat nuk pranojnë reduktime të mëtejshme të pagave.

“Duhet të reduktojmë pagat në sektorin privat për t’u bërë më kompetitivë, përndryshe do të falimentojmë duke dalë edhe nga eurozona”, paralajmeroi ai në një takim me përfaqësuesit e industrialistëve grekë dhe të Unionit të Sindikatave të sektorit privat, që shprehën kundërshtimet e tyre.

Ndërsa më herët gjatë vitit, profesori gjerman i cështjeve ekonomike dhe një ndër arkitektët e monedhës së euros, Otmar Issing deklaroi se Banka Qendrore Europiane ishte paralajmëruar për risqet që do të përballej monedha e përbashkët dhe se me largimin e Greqisë, euro do të mund të dilte nga kriza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA