Dy jetët e humbura në Librazhd kanë tronditur një komunitet të tërë, por jo vetën. Gjithçka që nuk plotëson normat shëndetësore apo mjedisore akuzohet si shkaktare, por sëmundja që mori jetën e një dy vajzave, 22 dhe 13 vjeç, rrezikon dhe shumë të tjerë.
“Nuk llogaritet dhimbja, edhe prej moshës së re, por më e keqja është që nuk dihet përsë ndodhi. Kemi edhe raste të tjera me temperaturë misteriore. Kam nipin që në datë një e çuam në spital në Librazhd dhe sot është ende me temperaturë, herë i ngrihet dhe herë i ulet, por asnjëherë nuk i stabilizohet”, shpjegon një banor vendas.
Nuk është e vështirë të ndiesh frikën në sytë e këtyre banorëve që ndihen të braktisur. “Kemi frikë sepse nuk dihet se nga se vjen. Janë një seri faktorësh dyshues, shpërthimesh e armatimit këtu afër, antenat e telefonave mes fshatit, plehrat po ashtu, temperatura këtë kohë që bie e ngrihet, por arsyeja e vërtetë nuk dihet”, shton ai.
Në kohën kur Shqipëria përgatitet të shndërrohet në magazinën europiane të plehrave, banorët e fshatit Qendër fajësojnë plehrat e hedhura dhe të djegura në mënyrë të përditshme pranë tyre si shkaktaren kryesore… Mjekësia s’di të japë shpjegim të saktë, përveç shumë hipotezave dhe dy kufomave.
Është e pabesueshme shifra e të rinjve me temperaturë të çudishme. Në çdo derë, dikush është i sëmurë. “Kemi shtruar nipin në spital, ka dy-tre ditë në spital. Nuk ngjan me rastet e tjera në vite, është ftohje e re. Unë jam 54 vjeç dhe asnjëherë nuk e kisha parë këtë epidemi”, shton një baor tjetër.
Nuk janë vetëm disa fshatarë që nuk dinë të japin shpjegim për këto sëmundje, por edhe vetë mjekët e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. “Duhen marrë masa, të vaksinohen dhe të ketë mjekime për të prekurit”, luten ata.
Top Channel