Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, ka mbërritur në Turqi, në atë që ekspertët e kanë cilësuar si një përpjekje diplomatike për të gjetur aleatë.
Vendimi për pasurimin e uraniumit, duke sfiduar komunitetin ndërkombëtar, e ka shndërruar vendin e madh aziatik gjithmonë e më të izoluar dhe subjekt të shumë bllokadave ekonomike.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Iranit gjithashtu kanë qenë në rënie, pasi Ankaraja ka mbajtur një qëndrim shumë të ashpër ndaj Sirisë, një aleate kyçe për Teheranin. Në të shkuarën, Irani ka mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj qeverisë turke, pasi ajo pranoi planin e NATO-s për të vendosur disa baza anti-raketore në vend.
Ndonëse nuk janë publikuar detajet e takimit të së mërkurës, të Larijanit me Ministrin e Jashtëm, Davutoglu, sipas mediave vendase, Turqia po përpiqet të shndërrohet në një ndërmjetëse për të rinisur dialogun midis Teheranit dhe komunitetit ndërkombëtar.
Të dy vendet mund të gjejnë një marrëveshje edhe për mënyrën se si mund të kontribuojnë për stabilizimin e gjendjes në Irakun e goditur nga një seri sulmesh kamikaze, të cilat kanë ndezur luftën ndërfetare, që prej tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane në dhjetor.
Aktualisht, Turqia është e varur ndjeshëm për energji nga Irani, vend nga i cili siguron 30% të nevojës për naftë, pavarësisht presionit ndërkombëtar të amerikanëve për një bllokadë të plotë mbi çdo produkt iranian.
Top Channel