Gripi misterioz i Librazhdit ka shënuar dy viktima me moshë shumë të re. Ende sot nuk kemi një përgjigje të qartë se çfarë mori jetën e dy vajzave të moshave 13 dhe 22 vjeç nga fshati Qendër Librazhd.
Emisioni i “Pasdites” dërgoi kamerat e tij në një prej shtëpive ku zija ra papritur, në atë të 22-vjeçares Blerina Balla. Vdekja e pashpjegueshme e Blerinës ka lënë pas shumë dhimbje dhe po aq pikëpyetje. Gjithçka ndodhi brenda pak orësh, çaste, të cilat babai i saj, Ymer Balla, nuk do t’i harrojë kurrë.
“Në mëngjes, vajza kishte ftohtë nga këmbët dhe duart. i thashë do të qëndronte ngrohtë se do ishte ftohur. Kur dola nga shtëpia e pyeta si ishte dhe më tha mirë. E lashë pastaj me gruan dhe njerëzit e saj, ndërsa shkova të kullosja bagëtinë. Kur erdha pasdite në shtëpi, e gjej vajzën me temperaturë 41 gradë. Gjë tjeter s’kishte, vetëm temperaturë të lartë. Erdhi infermieria e fshatit, i bëri gjilpërë, por nuk bëri efekt”.
Shëndeti i Blerinës vazhdoi të përkeqësohej në mënyrë dramatike. Përkujdesja e të atit u duk se nuk po jepte asnjë rezultat.
“I dashë një kokër vezë, ajo ankohej se kishte ethe. I vura ujë të ngrohtë tek këmbët dhe e mbështolla mirë, por vazhdon të ankohej se po ngrinte. Kështu, lajmëruam komshinjtë dhe me urgjencë e dërguam në spitalin e Librazhit”, dëshmon Ymer Balla.
“Rrugës i jepnin kurajo. Nëna i thonte: Shtrëngoje veten Dina, shtrëngoje veten!. Menduam se do të ishte gjithsesi një grip normal””, rrefen Balla.
Një baba po shihte se si po i shuhej në dorë vajza që skishte patur kurrë probleme shëndetësore. Bluzat e bardha të Librazhdit dukeshin po aq të pafuqishme sa prindi bujk.
“Erdhi doktoresha, infermierja, por aty filloi t’i zverdheshin duart. U bënë ngjyrë squfuri, kështu edhe majat e gishtave, ndërsa lart në krah filloi t’i ngjyrosej e t’i dilnin pulla. Morëm ambulancën për në Elbasan dhe gjatë të gjithë rrugës fola me vajzën. Fliste edhe ajo, komunikonte, vetem se thonte se kishte shumë ftohtë gjatë të gjithë kohës. Sapo mbërritëm në Elbasan, i hoqëm serumin e oksigjenin, e morëm në barele dhe e futem brenda në spital. Në atë sekondë mbaroi”.Zija vazhdon në shtëpinë e varfër, por Ymer Balla nuk pranoi të bënte autopsinë edhe pse tre djemtë mund të preken nga sëmundja enigmatike.
“Kam tre djem, kam merak, por ç’të bëj. Këtu ka dorë Zoti, ku di unë. Analizat të ishin bërë sa ishte gjallë vajza, se tani që vdiq, janë të kota. Ne myslimanët e kemi për traditë që të lahet i vdekuri dhe të shkojë atje ku i takon. Nuk kishim përse ta çanim kot”, thote babai i vajzes.
Diten kur doli lajmi për dy humbjet e pashpjegueshme, Fatos dhe Flutura Allkja, nga e njëjta zonë, gjithashtu rrezikuan të vdisnin. “Isha me temperaturë, bark dhe të vjella. Pastaj ika në urgjencë, por e di që nuk isha ftohur. Ethet m’u ngjitën papritur. Pasi e kalova, mjekët më thanë që kisha patur një gjendje kritike”, rrëfen Fatosi.
Përveç 22-vjeçares, edhe Aida Dosku, 12 vjeç, ndërroi jetë nga “gripi” enigmatik. Në studion e ‘Pasdites’, infektologia Entela Kolovani, doktori i Institutit të Shëndetit, Dritan Ulqinaku dhe ambientalisti Lavdosh Faruni, debatuan më gjerësisht për këtë çështje. Emisioni i “Pasdites” mund të ndiqet i plotë në galerinë tonë të videove.
Top Channel