Si vodhën mbesat dajën e tyre

10/01/2012 19:25

Ishte padyshim lajmi më sensacional i javës që lamë pas. Dy vajza adoleshente, 18 dhe 19 vjeç, kanë vjedhur rreth 15 milionë lekë të reja në shtëpinë e dajës së tyre.

Oligerta Agushi dhe Laureta Komaku, kushërira të para, në periudhën prej tetorit të vitit të kaluar deri në muajin dhjetor vidhnin Abdyl Projkun rregullisht në banesë. Ndërkohë që njëra prej tyre tërhiqte vëmendjen e gjyshërve duke biseduar, tjetra merrte paratë që ndodheshin në një valixhe sipër dollapit.

Policia ka arritur të zbardhë ngjarjen pak ditë pas denoncimit të tregtarit, i cili ka vërejtur mungesën e theksuar të parave. Adoleshentet u vunë nën pranga e më pas u lanë të lira për shkak se policia s’e kishte kryer arrestimin në mënyrë të ligjshme.

Vetëm 1 milionë lekë të vjetra i kanë mbetur pa shpenzuar vajzave nga shuma prej 150 milionë lekëve që kishin vjedhur nga daja e tyre. Sipas deklaratave të tyre në polici, dy vajzat në bashkëpunim me shoqen e tyre si dhe një djalë të mitur kanë marrë me qera dy dyqane parukerie, kanë blerë një apartament si dhe kanë sponsorizuar festa dhe dhurata për shoqërinë.

Një nga dyqanet e marra me qera nga adoleshentet ndodhet në rrugën “Hoxha Tahsim”, në kryeqytet. Pronari Lirim Ceçja, tregon se qeramarrësit ishin treguar të rregullt në pagesë: “Më erdhën dy vajza dhe një djalë që kërkonin dyqan me qera. Më 25 dhjetor njëra nga vajzat më vjen dhe më thotë që të paguanin qeranë edhe për tre muaj të tjera. Unë nuk pranova.”

Atij i ka bërë përshtypje mosha e të rinjve të cilët kishin gati edhe përgjigjet për të shuar kuriozitetin e tij.

“Djali më tha që kishin marrë kredi dhe do të punonin. Unë kisha dyshime sepse ishin shumë të rinj, por mendova se kishin punuar jashtë shtetit”, shton pronari.

Megjithatë, biznesi nuk ka rezultuar i suksesshëm: “Ato e mbanin hapur 2-3 orë sepse nuk i linte Policia Tatimore. Ditët e fundit kam parë policë në dyqan.”

“Na ka rënë si bombë të gjithëve. Ka një shprehje të vjetër që thotë “Atë që ta bën fëmija nuk ta bën as Perëndia”! Jemi të tronditur dhe nënat e vajzave janë të shkatërruara”, thekson xhaxhai i njërës nga vajzave.

Nusja e dajës shprehet: “Po më ikën truri sepse i kam mbajtur në pëllëmbë të dorës. Nuk gjej fjalë. Akoma nuk më besohet që e kanë bërë ato. I kam rritur vetë, kudo që shkoja i merrja me vete. Për çdo gjë që kishin nevojë ia blija sepse ishin më dobët ekonomikisht. I kisha si shoqe, flisnim për gjithçka. Pikërisht se jam tip shumë i afrueshëm ato përfituan dhe kjo më vret më shumë.
Shtet është ky që i nxjerr nga burgu? Kush i kthen paratë? Nuk mund t’i takoj dot më familjet e tyre sepse do bëja skandal. Më përpara kishim marrëdhënie shumë të mira prandaj na ka rënë si bombë. Unë jam nga Kavaja dhe sa herë që unë ikja në vendlindje ato përfitonin: njëra mbante me muhabet gjyshërit dhe tjetra vidhte lekët .”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA