Qytetarët shtuan depozitat, bizneset huamarrjen

10/01/2012 08:20

Gjatë vitit 2011, individët furnizuan pjesën dërrmuese të depozitave në sistemin bankar shqiptar, por qenë bizneset ato që përfituan pjesën dërrmuese të kreditimit.

Lajmi bëhet i ditur nga statistikat për muajin nëntor të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Depozitat në sistemin bankar arritën në 918 miliardë lekë (rreth 6.65 miliardë euro) me rritje 14 për qind në krahasim me një vit më parë.

Por depozitat e individëve u rritën me afro 16 për qind ndërsa ato të bizneseve u rritën me 4 për qind. Rreth 86 për qind e totalit të depozitave i përkasin publikut të gjerë dhe pjesa tjetër, kompanive.

Totali i portofolit të kredisë arriti në 552 miliardë lekë, (rreth 4 miliardë euro) me rritje 14 për qind kundrejt nëntorit 2010. Kreditë për bizneset u rritën me 18 për qind ndërsa ato për individët u rritën me 5.6 për qind.

Problemet dhe fitimet

Bankave vijuan t’i shtohen kredimarrësit e parregullt gjatë muajit nëntor, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë nga pjesa tjetër e vitit. Kreditë me probleme arritën në 18.7 për qind të totalit të portofolit ose 30 për qind më shumë se sa një vit më parë.

Te kreditë e këqija përfshihen kreditë që kanë patur vonesa të theksuara në shlyerje, për të cilat bankat duhet të mbajnë rezerva nga fitimet për të mbuluar humbjet e mundshme.

Një pjesë e këtyre kredive kthehen në normalitet ndërsa një pjesë tjetër kalon në fazën e ekzekutimit të kolateralit. Kreditë me probleme janë rritur vazhdimisht gjatë tre viteve të fundit, por kjo gjë ka shkaktuar më së shumti pakësim të fitimeve të bankave dhe jo probleme të tjera.

Ndërkohë, fitimet e sistemit bankar sipas standardeve kontabël të miratuara nga Banka e Shqipërisë, qenë 3.1 miliardë lekë (rreth 22.2 milionë euro) për periudhën janar-nëntor 2011. Në krahasim me vitin e kaluar, fitimet janë 40 për qind më të ulëta.

Norma e kthimit mbi asetet dhe norma e kthimit mbi kapitalin qenë përkatësisht 0.3 dhe 3.6 për qind, normat më të ulëta të shënuara në shumë vite. Norma e kthimit mbi asetet mat fitimet neto në raport me asetet totale ndërsa norma e kthimit mbi kapitalin mat fitimet neto në raport me kapitalin aksioner të bankave.

Gjatë vitit të kaluar bankat morën masa për të kursyer një pjesë të kostove të veta, duke rialokuar zyrat bankare apo duke mbyllur disa zyra të konsideruara si pa leverdi.

Gjatë viteve të fundit, rrjeti i zyrave bankare nuk është zgjeruar, por bankat kanë shtuar praninë e vet në treg përmes shtimit të numrit të makinave automatike të parasë si dhe përmes zgjerimit të shërbimeve të kryera përmes degëve të veta në internet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA