Mbifaturimi, prokuroria heton CEZ-in

10/01/2012 00:00

Prokuroria e Tiranës i ka dhënë fund pyetjes së dhjetra punonjësve si faturistë pranë kompanisë CEZ në Tiranë, për llogari të hetimeve të nisura për veprën penale të vjedhjes për shkak të detyrës, ndërkohë që jo zyrtarisht organi i akuzës deklaron se së shpejti do të dërgohen fletëthirrje për të pyetur aneëtarët e bordit të kësaj kompanie.

Referuar ankesave të qytetarëve të cilët kanë denoncuar se u vinin fatura tepër të larta, por edhe për shkak të një dosjeje të dorëzuar nga policia e kryeqytetit në Prokurori, grupi i hetimit po shqyrton një sërë dokumentash të sekuestruara pranë kompanisë ceke, mes të cilave edhe vendime të nxjerra nga bordi i kësaj kompanie.

Në lidhje me bordin, thanë pjesëtarë të grupit të hetimit, kemi nën hetim edhe një vendim të kompanisë CEZ pas të cilit kjo kompani u gjobit nga ERE për shkak të faturave të argumentuara si “energji e pamatur”.

Por thanë prokurorët, në këtë pikë hetimet janë mjaft delikate pasi më pas vetë kompania e ka anuluar këtë vendim, pavarësisht se mjaft fatura u janë vendosur qytetarëve me këtë argument.

Ndërkaq mes materialeve të bllokuara ndodhen edhe fatura të dorëzuara nga personat që pretendojnë se janë dëmtuar ekonomikisht sipas tyre pa të drejtë nga kompania CEZ.

Pjesëtarë te grupit të hetimit nga njësia Task Force pohojnë se janë sekuestruar regjistrat e faturimeve të denoncuara me probleme si edhe mjaft pretendime të qytetarëve, prej të cilave më të zakonshmet janë ato për mbifaturimet. Por ka edhe raste, thonë prokurorët, kur qytetarët kanë denoncouar për ndërprerje të padrejtë të energjisë elektrike në një kohë që ata i kishin të shlyera detyrimet e tyre ndaj kompanisë CEZ.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA