Në Birmani, liderja e opozitës Aung San Suu Kyi ka konfirmuar të martën se do të kandidojë për një vend në Parlament, në zgjedhjet që do të mbahen më 1 prill.
Lajmin e ka bërë të ditur partia e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci, që ka zyrtarizuar një vendim që qarkullonte prej kohësh, që kur partia u regjistrua si subjekt politik.
Sipas burimit, Suu Kyi do të jetë kandidatja e LKD-së në një zonë në periferi të Rangunit, në zgjedhjet që do të nxjerrin 48 deputetë.
Disa ditë më parë, në një intervistë ekskluzive për BBC, Suu Kyi shprehu besimin se vendi i saj do të mbajë zgjedhje demokratike “gjatë jetës së saj”.
“Parashikoj zgjedhje demokratike gjatë kohës sime. Unë nuk e di se sa gjatë do të jetoj, por nëse bëj një jetë normale, atëherë kjo do të ndodhë”, u shpreh Suu Kyi.
Suu Kyi tha gjithashtu se të burgosurit politikë duhet të lirohen, ndërkohë që autoritetet e mohojnë ekzistencën e tyre.
Lidhur me presidentin Thein Sein, një ish-gjeneral i lartë që u tërhoq për të marrë pjesë në zgjedhje si civil, zonja Suu Kyi vlerësoi:
“Unë kam besim tek presidenti, por nuk mund të besoj ende qeverinë, për arsyen e thjeshtë se ende nuk i njoh të gjithë anëtarët e saj”.
“Gjëja më e rëndësishme për presidentin është se ai është një njeri i ndershëm. Ai është i gatshëm të rrezikojë nëse mendon se dicka ia vlen”, shtoi liderja e opozitës.
Top Channel