Pabarazia në Shqipëri njeh vetëm rritje

09/01/2012 08:20

Pabarazia në ndarjen e të ardhurave kombëtare në vendin tonë është zgjeruar me shpejtësi gjatë viteve të fundit, duke konkurruar bindshëm dhe në disa raste, duke kapërcyer pabarazinë që haset në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, publikon gazeta ‘Shqip’.

Lajmi bëhet i ditur nga krahasimi i të dhënave të tre vrojtimeve të kryera nga Instituti i Statistikave mbi Nivelin e Standardeve të Jetesës. Këto vrojtime janë kryer në vitet 2004, 2005 dhe 2008 dhe janë mbështetur nga Banka Botërore veçanërisht për të matur nivelin e varfërisë.

Por ndërsa niveli i varfërisë mes shqiptarëve është ulur ndjeshëm dhe qeveritë janë krenuar shpesh për këtë, shifrat e pabarazisë në të ardhura dhe ecuria në kohë e pabarazisë janë lënë në harresë. Indeksi Gini, si dhe ndarja e të ardhurave kombëtare sipas fashave të shoqërisë janë lënë në hije. Të dhënat flasin për rritje të shpejtë të pjesës së të ardhurave kombëtare që përfundojnë në xhepat e shqiptarëve më të varfër, rritje të papërfillshme të të ardhurave të shtresës së shqiptarëve më të varfër dhe rënie masive të pjesës së të ardhurave të shumicës së popullatës.

Në Shqipëri, sipas rezultateve të vrojtimit të kushteve të jetesës të kryer në vitin 2008, 10 përqindëshi i popullatës më të varfër fut në xhepat e vet vetëm 3.5 për qind të të ardhurave të të gjithë vendit, ndërsa 10 përqindëshi i popullatës më të pasur fut në xhepa plot 29 për qind të të ardhurave kombëtare. Dhjetë përqindëshi i shqiptarëve të pasur fusin në xhepa një pjesë edhe më të madhe të të ardhurave kombëtare nga sa është përqindja e të ardhurave që përfundon në xhepat e më të pasurve të Bashkimit Europian dhe afërsisht po aq sa fusin në xhep më të pasurit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu, 10 përqindëshi i popullatës më të pasur në Francë fut në xhep 24.8 për qind të të ardhurave kombëtare, në Britaninë e Madhe 28.5 për qind, në Itali 26.8 për qind dhe në SHBA, 30 për qind. Ndryshimi mes Shqipërisë dhe këtyre vendeve qëndron në faktin se pabarazia në vendet e zhvilluara është diçka historike ndërsa në Shqipëri, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është krijuar brenda shumë pak viteve. Në vitin 2005, në Shqipëri 10 përqindëshi i popullatës më të varfër kishte 3.2 për qind të të ardhurave kombëtare dhe 10 përqindëshi i më të pasurve kishte 25.9 për qind të të ardhurave. Ndërsa pjesa e më të varfërve është rritur me 0.3 për qind duke shkuar në 3.5 për qind mes viteve 2005 dhe 2008, pjesa e të pasurve është rritur nga 25.9 në 29 për qind.

Tendenca në rritje e pjesës së të ardhurave kombëtare në duart e më të pasurve, nga 24.4 për qind në vitin 2004, në 29 për qind në vitin 2008, sugjeron që deri më sot, llokma e të të pasurve është shtuar edhe më tej. Por vrojtimi për matjen e standardit të jetesës nuk është kryer tashmë që prej katër vjetësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA