“Ajo që ndodhi ishte tronditëse”, Rama për Spitalin Onkologjik: Për herë të parë kemi fond për barnat, s’do ketë më mungesa
Gëzim Tushi – Koha moderne edhe në shoqërinë tonë është bërë kohë e shanseve, mundësive por dhe privimeve të madha sociale dhe individuale.
Disa dukuri të jetës, varfërisë dhe mirëqenies kanë marrë karakter paradoksal në raport me liritë e njeriut. Ndoshta përtej asaj që parashikuam dhe mundësive dhe iluzioneve të natyrshme dhe artificiale që ka sjellë ekonomia e tregut. Në se shikojmë me optikë të vjetër realitetin e sotëm të zhvillimeve social ekonomike në shoqërinë tonë, do të bindemi lehtë se ka shumë probleme sociale që duan zgjidhur dhe bashkë me të edhe njerëz të deprimuar, që janë të pa qartë me kohën e tyre, me sfidat e realitetit, që jo i gjithi dhe gjithësesi është i pavarur prej përgjegjësisë së tyre. Shqetësimet, dilemat, problemet e njerëzve janë reale. Përballimi i tyre është cështje qëndrore e procesit të zhvillimit të vendit tonë. Nuk kam asgjë kundër. Madje jam dakord me idenë brilante të nobelistit Amartya Sen, që thotë se për të zgjidhur problemet ka vetëm një rrugë që …”të pranojmë rolin e lirive të ndryshme në këpërximin e këtyre të këqijave”.
Në këtë kontekst ana e parë e problemit është e lidhur veprimin individual të njeriut, i cili në fund të fundit, është thelbësor për të ndihmuar këdo që të përballet me këto privime dhe të mposhtë ato. Ky vështrim liberal dhe individualist i cështjes, është një nga sfidat e kohës, që në shoqërinë tonë nuk po kuptohet drejt dhe që në një farë mënyre nga disa njerëz është një nga imperativat social që po “përtypet” me zor. Kjo sepse edhe në konceptimin e përgjegjësive dhe trajtimin e raporteve të detyrimeve individuale dhe “mundësive shoqërore” për të përfituar nga liria, ka koncepte të njëanshme dhe jo fort të balancuara. Një pjesë e njerëzve kur vlerësojnë shkaqet e situatës specifike të vështirë ekonomike dhe sociale, e shikojnë atë si përgjegjësi të pastër dhe peshë ekskluzive të izoluar të individit në nevojë. Në këtë mbivlerësim të rolit të individit si përgjegjës kryesor për fatin e vet social dhe situatën ekonomike të tij qëndroj edhe unë.
Jo se nuk e kuptoj përgjegjësinë dhe rolin e faktorit shoqëror, ndikeimet e sfondit ekonomik dhe social për realizimin e mundësive dhe lirisë së individit. Porse më duket se jetojmë në një shoqëri në të cilën zhvillimet janë të tilla, që më shumë favorizojnë individin e fortë, të sukseshëm, të orientuar qartë dhe këmbëngulës se sa mundësitë për krijimin e kushteve sociale dhe mundësive ekonomike, të cilat në shoqërinë tonë kanë prirje për të qënë mundësi rastësore, spontane, të paorganizuara dhe jo aq disponibël për të ndihmuar pa fund njeriun që beson në mundësitë e ndihmës së faktorit shoqëror. Megjithatë, duke parrë raportet e përgjegjësive, ka ardhur koha që të gjithë duke përfshirë edhe mua të “ulim këmbët në tokë”, të bëhemi më realistë për të përcaktuar më mirë rolin e faktorit individual dhe social, përgjegjësitë e tyre respective reciprokisht të lidhura me fatin social dhe situatën ekonomike të individit. Entusiazmit pa fre, besimit të tepëruar për fatin dhe mundësitë e pakufizuara për sukes social dhe ekonimik të individit të fortë që beson më shumë tek forcat, shanset dhe mundësitë e veta se sa tek zgjidhjet ekonomike dhe oportunitetet sociale të shoqërisë, duke e favorizuar si ide nuk duhet ndërkaq ta idolatrizojmë.
Koha dhe problemet sociale që ka shoqëria jonë na kanë vënë në mendime për të kërkuar dhe gjetur raporte më optimale midis përgjegjësive individuale dhe sociale. Sepse jo të gjithë individët i kanë shanse dhe forca të mjaftueshme për të qënë të suksesshëm, apo të orientuar individualisht dhe pa mbështetje sociale drejt suksesit. Në këto kushte si shoqëri jemi të detyruar që pa hequr dorë nga besimi dhe nxitje e individit që të bazohet në forcat dhe energjitë e tij, duhet të gjejmë edhe disa “stabilizatorë socialë”, të cilët janë të domosdoshëm për të rregulluar ekuilibrin social midis këtyre dy anëve thelbësore të përgjëgjësive të jetës sociale dhe individuale.
Ekonomia liberale e tregut në shoqërinë tonë është parë dhe vlerësuar nga ana e ndritshme dhe na ka mbushur mendjen që është instrumenti i duhur që favorizon njeriun e lirë, të orientuar qartë, të fortë. Por kjo epërsi e ekonomisë së tregut të lirë nuk është e mjaftueshme vetëm me mundësitë që ofron për “angazhimin individual” të njeriut të suksesshëm, me fat që rastësisht apo domosdoshmërisht arrin me lehtësi atë që mendon apo dëshiron. Sepse tani kemi rreth nesh shumë njerëz që nuk janë në majat e suksesit apo që për arsye të ndryshme që lidhen apo nuk lidhen me ta personalisht janë në “bisht” të tij. Sepse nuk mund të jemi aq të verbër, që të besojmë se gjithcka deri në fund është e lidhur vetëm me njeriun individualisht. Nuk mund të mendojmë kështu kur shikojmë se ka plot njerëz që kanë aftësi por nuk kanë mundësitë e duhura që kufizohen me mekanizma të tjerë, që jo domosdoshmërisht janë faktorë komplementarë të ekonomisë së tregut, por të lidhura me disa faktorë të tjerë të ekstratregut që ndikojnë, që në jo pak raste aftësitë, mundësitë dhe shanset e tyre kufizohen. Pikërsisht nga mungesa e mundësive shoqërore dhe ekonomike, për të cilat nuk ka deri në fund faj individualisht njeriu. Në Shqipëri kemi më shumë se dy dekada që jetojmë në kohë të reja, që janë komplekse dhe të ngatërruara. Ndaj partizanët e individualizmit të thekur (ku bëj pjesë edhe unë) duhet me sa duket ta ndalin pak vrapin e mbivlerësimit të kulluar të vlerës absolute të individualizmit. Ata duhet të kuptojnë se jetojmë në kohë kur, pa hequr dorë nga nxitja e prirjes individualiste si rrugë e sigurt për suksesin individual, duhet të ndikojmë për të rishikuar, pse jo edhe modifikuar pak “ekuacionin” që rregullon marrëdhëniet e përgjegjësive individuale me mundësitë sociale.
Sepse koha po tregon se veprimet individuale dhe rregullimet shoqërore nuk janë të ndara, por ato plotësojnë thelbësisht njëra tjetrën. Me fjalë të tjera është e nevojshme ta shikojmë pak më ndryshe nga sa e kemi parë deri tani rolin thelbësor të lirisë individuale dhe përgjegjësive sociale. Sepse besimi i njerëzve tanë tek forca e demokracisë, ekonomia e tregut dhe moderniteti social është mbështetur në bindjen e fortë për forcën e duhur dhe të patjetërsueshme të ndikimit shoqëror në zgjerimin e lirisë individuale. Që në esencën e vet është dhe duhet vlerësuar mbi të gjitha, si një nga detyrimet e pashmangshme të shtetit dhe shoqërisë për të dhënë kontribut shoqëror, që është me vlerë të madhe për orientimin e duhur dhe arritjen e suksesit individual nga cdo njeri. Në mënyrë absolute është mrekulli që në shoqërinë shqiptare tani pas një kohe të gjatë tranzicioni demokratik ka filluar të përhapet, të zgjerohet dhe të bëhet e natyrshme prirja sociale e liberalizmit, që si qëllim parësor të individit, mjet kryesor të zhvillimit të shoqërisë shikon zgjerimin e iniciativës së lirië personale.
Madje në kohën e tanishme në shoqërinë shqiptare në mënyrë pak të cuditëshme, duket se njerëzit tanë duke qënë të orientuar drejt modernitetit kanë zgjeruar optikat e shikimit dhe vlerësimit të lirisë ekonomike dhe sociale, e cila ecën paralel me përgjegjësisë individuale. Por tani jemi në fazë më të avancuar kur janë bërë dominante sensibilitetet e duhura, për të sulmuar pengesat e lirisë në të gjitha aspektet e lirisë politike, sociale, ekonomike, intelektuale dhe morale.
Njerëzit tanë, shumica më sakti nuk pranojnë që të kenë pak mundësi dhe zgjidhje për të realizuar iniciativat e tyre krijuese dhe realizuese. Është bërë bindje se liria individuale nuk mund të zhvillohet duke i vënë pengesa artificial, barriera konservatore të cdo natyre qoftë. Por ne jemi në fazën që sapo kemi dalë nga tranzicioni dhe liria nuk mjafton të jetë vetëm deklaratë. Që nganjëherë më shumë se është realitet i plotë, është dëshirë që më shumë artikulohet politikisht. Por që nuk është në të njëjtin nivel kur është fjala në terrenin e veprimit konkret të jetës. Ne shqiptarët vetkënaqemi shpesh nga deklaratat politike. Kjo ngaqë jemi të politizuar dhe akoma më shumë besojmë tek politika, që në një farë mënyre për shkaqe historike ka qënë zëvendësuese e rolit të fesë për shqiptarët, që kanë besur më shumë tek ajo sesa tek vetja dhe energjitë e personalizuara.
Ndaj është koha politika të përshpejtojë me ritme më të larta aftësinë e saj për të rregulluar ndërveprimin e disa “lirive instrumentale” që janë thelbësore dhe me impakt të gjërë në terrenin konkret të jetës. Ato duhet të jenë të sinkronizuara dhe sinkretike, sepse kanë rëndësi vendimtare dhe kanë të bëjnë me zgjerimin e mundësive ekonomike, zgjerimin e lirive politike, përmirësimin e shërbimeve sociale për grupet në nevojë, garancinë e sigurimit të transparencës etj. Ndërkaq, duhen shtuar ritmet e përmirësimit të funksionimit të institucioneve që garantojnë lirinë e individit, mundësinë e bërjes efektive për cdo njeri. Kjo do të thotë se duhen përmirësuar funksionimi i institucioneve publike dhe performanca e tregut të lirë, sistemi legjislativ, funksionimi i gjyqësorit, përmirësimi rolit të medias, rritja e rolit të shoqërisë civile, dinamizimi i jetës së partive politike, ridimensionimi i peshës dhe funksionimi i opinionit publik, etj. Zgjerimi i hapësirës së lirisë së individit të lire, duhet të bëhet faktori sociopolitik kryesor që jo vetëm nuk duhet të jetë pengesë, por të bëhet kusht i zhvillimit. Duke e ndihmuar njeriun që dalë nga rolet pasive dhe konceptet e zgjeruara të pritmërive nga përfitimet sociale.
Top Channel