Kreu i Kishës Ortodokse Ruse ka deklaruar se Kremlini duhet t’iu vërë veshin protestave të fundit masive për rezultatet zgjedhore dhe të ndreqë politikat e tij.
Në një mesazh televiziv, me rastin e ditës së Krishtlindjeve Ortodokse, Patriarku Kirill deklaroi se do të ishte “një shenjë shumë e keqe” nëse autoritetet do të injoronin protestuesit.
Ai theksoi se nuk mund të marrë një anë të caktuar lidhur me debatet për zgjedhjet, ndonëse Kisha ruse është e njohur për lidhjet e saj me Kremlinin.
Është ende e paqartë nëse ky është komenti i parë i patriarkut lidhur me protestat për zgjedhjet që përfshinë Moskën muajin e kaluar, por analistët rusë thonë se deklarata ishte e papritur.
Manifestimi i fundit i madh më 24 dhjetor mblodhi rreth 100 mijë persona në qendër të Moskës, në demonstratën më të madhe anti-qeveritare që prej kohëve të Bashkimit Sovietik.
Ajo u organizua për të protestuar ndaj menaxhimit të zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit, që shiheshin si një test i funksionimit të sistemit elektoral në prag të zgjedhjeve presidenciale që mbahen në mars dhe ku pritet të zgjidhet Vladimir Putin, i cili para se të bëhej kryeministër ka shërbyer për dy mandate si kryetar shteti.
“Gjëja më e rëndësishme është të përkthesh në mënyrë korrekte mesazhin që është shprehur në protesta në një politikë rregulluese”, deklaroi patriarku në fjalimin e transmetuar të shtunën.
“Nëse autoritetet nuk do t’ua vënë veshin mesazheve të protestave, atëherë kjo do të jetë një shenjë shumë e keqe. Shenjë e paaftësisë së autoriteteve për të ndrequr vetëveten”, shtoi ai.
Top Channel