Regjimi është autokratik, por problemi i problemeve është ekonomia

07/01/2012 00:00

Mustafa Nano – Para ca ditësh, mbi 100 mijë hungarezë dolën në rrugë për të protestuar
kundër qeverisë së Victor Orban-it, i cili ka mbjellë shqetësim në
Bruksel e në Uashington, për shkak të praktikave autokratike që ka
adoptuar gjatë 18 muajve të fundit në drejtimin e vendit të vet, gjë që
është vënë re te përpjekjet për të kufizuar e penalizuar lirinë e
shprehjes, për të marrë nën kontroll të gjitha institucionet (ka bërë
një pushtim partiak të institucioneve, ka ushtruar presion mbi sistemin e
drejtësisë, e kohët e fundit arriti deri atje sa kërkoi të emëronte dhe
zv.guvernatorin e Bankës Qendrore), për të ndryshuar Kushtetutën me
votat e një mazhorance arrogante që i kalon 2/3 e Parlamentit, për të
krijuar konflikt me një numër institucionesh e organizatash
ndërkombëtare etj., etj.

Komisioni Europian ka ngritur zërin parmbrëmë dhe ka hedhur idenë e një misioni monitorimi e verifikimi të rastit hungarez për të kuptuar, nëse atje bëhet fjalë për një demokraci apo për një diktaturë.

Po pardje doli lajmi se Hungaria është në prag të një default-i: Fiorinta është dobësuar shumë në raport me euron; interesat e borxhit të marrë (borxhi publik hungarez është gati 83% e GDP-së) e kanë kaluar 10%-shin, e kjo do të thotë se Hungaria nuk mund të jetë në gjendje të paguajë borxhin e madh të vetin; rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë zero, ndërsa vitin e shkuar ishte 1,6%; investitorët ndërkombëtarë – sipas gazetës konservatore gjermane Die Welt – po përgatiten për skenarin e falimentimit të shpejtë hungarez, gjë që do të kish pasoja të mëdha për bankat e Europës, sidomos ato gjermane e austriake.

Kryeministri prepotent Orban ndihet më në fund i zgërlaqur. Ai ka kërkuar ndihmën e FMN-së dhe të BE-së. “Na duhet një borxh sa më shpejt të jetë e mundur; ndryshe, situata mund të degjenerojë”, u tha këto ditë nga njerëz të qeverisë. Bëhet fjalë për një bail-out që kap shumën e 20 miliardë dollarëve. Duket se kemi fundin politik të Orbanit, i cili na sillet edhe si një leksion: regjimet autokratike, përveç emergjencës demokratike që krijojnë, e ndoshta bash për shkak të kësaj emergjence, nuk arrijnë të ngrenë një ekonomi eficente.

Ky leksion ka ardhur në kohën e duhur për ne shqiptarët. Para dy ditësh, Orbani ynë, me anë të ca ndryshimeve ligjore të propozuara në mbledhje të qeverisë, mori nën sqetull katër institucione njëherësh: INSTAT-in, Komisionin e Prokurimit Publik, Drejtorinë e Sekreteve Shtetërore, dhe Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë e Informacionit. Mediat e opozitës i dhanë shumë rëndësi këtij gjesti, por duhet thënë se më shumë rëndësi ka mesazhi i përcjellë dhe simbolika e gjestit, se sa përmbajtja e këtyre ndryshimeve. Berisha s’ka bërë gjë tjetër veçse ka marrë de jure ato që i ka pasur de facto nën kontroll, e në këtë kuptim nuk ka ndodhur asgjë serioze në terma konkrete. Madje, në praktikën e qeverisjes autokratike, këto ndryshime e ndërhyrje janë më të parëndësishmet e më pak të rrezikshmet që mund të jenë vënë në jetë nga Berisha. Nuk i shtojnë pra ndonjë gjë të madhe asaj që është vënë re, e që shpesh përkufizohet e identifikohet si regjim.

Nuk ka asnjë dyshim se në Shqipërinë e këtyre kohëve ka vetëm një vullnet që vlen: vullneti i Berishës. Kush nuk është bindur ende për këtë gjë, ose është një gjë e ligë e dhënë pas egoizmit të vet, ose ka tallash në vend të truve. E kush mendon se kjo nuk sjell ndonjë qeder (ka plot njerëz me lëkurën shollë e me ndjeshmëri minimale demokratike, rrjedhimisht nuk bezdisen prej një regjimi autokratik), duhet të shqetësohet për ineficencën e regjimit. Mund të ketë njerëz që ushqehen me dënglat e çaprashitjet idiotike të Kryeministrit (“Shqipëria është superfuqi energjetike, është vendi i dytë më i suksesshëm në Europë, me të ardhurat mesatare për frymë 9 mijë dollarë, e me 4 milionë turistë, është vendi ku janë rritur eksportet, ullinjtë, arrat, derrat, dosat etj., etj.”), por do të ketë edhe për këta një ditë të ftillimit: do të jeta dita, kur Shqipëria do të rrezikojë të kalojë në default, siç po kalon tani Hungaria. Është me sa duket stacioni i fundit i çdo regjimi autokratik, dhe ky pohim ngjan se po provohet aksiomatik në politikë.

Ne humbasim shumë kohë në diskutime politike shterpë, dhe harrojmë se “it’s all about economy, stupid!” (kjo është një shprehje që ka dalë qëmoti nga goja e Bill Clinton-it, me anë të së cilës ai, në rolin e kandidatit presidencial, donte të thosh se është ekonomia ajo që duhet të jetë në fokus). Si është ekonomia e vendit në këto kohë të Berishës? Si mos më keq. Le të shohim shifra e fakte, të cilat janë të pamohueshme: rritja ekonomike ka rënë në nivelin e 2%-shit (sipas INSTAT-it dhe FMN-së), mbledhja e të ardhurave buxhetore është 360 milionë dollarë më pak, shkurtimi i shpenzimeve ka kapur shumën 440 milionë dollarë (dy të dhënat e fundit i kam marrë nga një shkrim i Arben Malajt në “Panoramën” e djeshme, dhe Malaj është nga ata që me shifrat nuk spekulon), pensionistëve nuk iu dha paga asistenciale në fund të vitit, borxhi i qeverisë ndaj kompanive private që kanë kryer investime me paratë publike është rritur në mënyrë eksponenciale (dhe nuk është llogaritur te borxhi publik), vetë borxhi publik është në nivelin e 60% të GDP-së, gjë e pranuar dhe nga qeveria etj., etj.

Orbani, që ka qenë arrogant si me opozitën, ashtu edhe me lojtarët ndërkombëtarë, tani ka zënë t’u jargavitet këtyre të fundit. Unë qysh tani kam filluar ta përfytyroj Berishën duke iu jargavitur jo të huajve (atyre u është jargavitur gjithë kohën), por opozitës dhe aktorëve lokalë. Momentalisht duket se nuk është i vetëdijshëm për gjendjen e ekonomisë së vendit, e prandaj po vijon me strategjinë për të shtënë nën kontroll të gjitha institucionet, por kur të vijë ora e së vërtetës, asnjë nga këto institucione nuk do t’i hyjë në punë. E për çfarë do t’i duhet mandati i tretë qeverisës, Presidenti, KQZ-ja, Prokurori i Përgjithshëm, SHISH-i, INSTAT-i, televizioni publik, Banka Qendrore, drejtësia, policia, grupi parlamentar, nëse Shqipëria kalon në default? Një dreq e di.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta