Publikimi i fotove private, Princi William dhe Princesha Kate fitojnë gjyqin me revistën franceze
Kryeministri rus Vladimir Putin ka bërë një rrëfim të vecantë pas meshës
së mesnatës për Krishtlindjet ortodokse në katedralen e Shën
Pietërburgut.
“Mamaja ime më pagëzoi në fshehtësi në këtë katedrale, në kohën e Stalinit”, ka treguar Putin, deklaratë kjo që është shfaqur në faqen e internetit të vetë kryeministrit.
Në web site-n në fjalë thuhet se pagëzimi i ish-oficerit të KGB-së, në atë kohë fëmijë, u bë në vitin 1952, kur lideri Josip Stalin ishte ende gjallë.
“Mamaja ime më pagëzoi, duke sfiduar kontradiktat e babait tim, që ishte ateist dhe i regjistruar tek partia komuniste”, ka treguar më tej Putin.
Putin pritet që më vonë gjatë vitit të marrë sërish në dorë frenat e Kremlinit, pas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në mars.
Por në fund të vitit të kaluar, pas zgjedhjeve legjislative, ai u përball me protestën më të madhe të qytetarëve rusë, që manifestuan pikërisht kundër tij.
Protestuesit denoncuan nivelin e lartë të korrupsionit në shtetin rus, si dhe monopolizimin e politikës nga Putin dhe bashkëpunëtorët e tij të partisë Rusia e Bashkuar.
Nga ana e tij, kryeministri u shpreh i gatshëm për dialog me opozitën, por nga ana tjetër i mbylli asaj dyert duke përjashtuar mundësinë e përsëritjes, apo rishikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Në garën për Kremlinin, kryetari i Partisë Rusia e Bashkuar do të ketë përballë oligarkun e pasur Mikhail Prokhorov, të cilin e ka cilësuar “një konkurrent të fortë”.
Prokhorov është oligarku i parë rus që zbret në fushën e politikës, tetë vjet pas arrestimit të ish-bosit të kolosit “Yukos”, Mikhail Khodorkovski, i dënuar në dy procese që thuhet se janë orkestruar nga regjimi putinian.
Top Channel