Një ditë pas pretencës së dhënë nga prokuroria e cila kërkon dy vjet burg, ka reaguar Ilir Meta.
Ai e ka quajtur një pretencë politike dhe të pabazuar në prova. Këto deklarata i ka bërë ndërsa ndodhej në qytetin e Shkodrës.
“Ka qenë një pretencë e mbështetur në asnjë fakt, asnjë provë, në asnjë dëshmitar. Një pretencë vetëm politike. Megjithatë, me thënë të drejtën zbythja e prokurorisë ka qenë e konsiderueshme, nga janari dënim me vdekje, tani me dy vjet burg e disa miliona lekë, se ata nuk rrinë dot pa vënë gjoba. Një tjetri i kanë vënë nja 3 milion euro thonë, për të mos ia cuar cështjen në gjykatë…e histori të tilla”, tha kreu i LSI-së.Meta është pyetur nga gazetarët edhe për video të tjera të bëra të ditura nga Dritan Prifti.
“Kur kam qenë njeri i sporteve të rënda, dhe në sportet e rënda ka disa standarde, nuk mund të ndeshjet një i peshës së madhe me një të peshës së papërfillshme. Pra nuk mund të ndeshet një luan me një mi moçlishtesh se ai mund të ketë pirë një gotë raki dhe për momentin i duket vetja i gjithëfuqishëm për arsye se rakinë nuk e mban dot”, u shpreh Meta.
Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi të premten Gjykatës së Lartë të dënojë me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë Ilir Metën, ish-zv/kryeministrin e akuzuar për korrupsion në bazë të videos dhe dëshmisë së Dritan Priftit.
Gjykata e Lartë do të japë vendimin rreth cështjes më 16 janar.
Top Channel