Kredia e re do ulë huamarrjen e qeverisë

07/01/2012 08:05

Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të rrisë deficitin e programuar për vitin 2012 dhe pritet ta përdorë kredinë e re të Bankës Botërore për të ulur huamarrjen e programuar në tregun e brendshëm, bëjnë të ditur ekspertë të qeverisë për gazetën “Shqip”.

Shpresohet që kredia që po negociohet me Bankën Botërore do të lëvrohet brenda gjysmës së parë të vitit dhe një pjesë e saj do të përdoret për financimin e deficitit buxhetor që më herët qe programuar të mbulohej me huamarrje në tregun e brendshëm.

Qeveria ka programuar të tërheqë 18.5 miliardë lekë (rreth 185 milionë dollarë) borxhe nga tregu i brendshëm për të financuar deficitin buxhetor gjatë vitit 2012.

Këto borxhe kanë aktualisht 7 për qind interes në vit dhe interesat pësuan rritje gjatë ditëve të fundit si pasojë e kërkesës së shtuar nga ana e qeverisë.

Zëvendësimi i një pjese të huamarrjes së brendshme me kredinë e lirë të ofruar nga Banka Botërore, përveç uljes së kostos së borxhit, do të sjellë edhe rritjen e likuiditetit të disponueshëm për kreditimin e bizneseve dhe individëve. Kreditimi i ekonomisë në Shqipëri ka vijuar të rritet duke u nisur nga një bazë e ulët.

Qeveria ka gjithashtu opsionin e kërkimit të ndihmës te Fondi Monetar Ndërkombëtar në rast se vështirësitë vijojnë, por po nguron të hapë bisedime për shkak të kushteve të rënda që mund të shoqërojnë një marrëveshje të tillë.

Gjatë kohëve të fundit, disa vende të rajonit tonë iu drejtuan Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndihma emergjence. Hungaria rihapi bisedimet për ndihmë me FMN-në pasi e pati përzënë misionin tre vjet më parë.

Shqipëria nuk gjendet ende në krizë financiare, por buxheti i shtetit mund të përballet me vështirësi të shumëfishta gjatë këtij viti dhe rreziqet janë shtuar.

Rreziku kryesor lidhet me mosrealizimin e të ardhurave buxhetore, të cilat janë programuar sërish rreth 10 për qind më të larta nga realizimi faktik i vitit të kaluar, gjë që është e pamundur të ndodhë.

Qeveria ka shumë gjasa të rishikojë në ulje shpenzimet siç ka bërë edhe gjatë viteve të shkuara, por hapësira e uljes është ngushtuar ndjeshëm.

Në verën e vitit 2011, qeveria anuloi pagesat për orët shtesë të administratës publike, anuloi pagën shtesë për titujt shkencorë të të punësuarve të administratës si dhe rriti taksat mbi karburantet e cigaret. Këtë vit, qeveria shpreson të arkëtojë më shumë para nga taksat e makinave, por kjo gjë nuk është shumë e sigurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA