Nigeri, sulmohet kisha, 6 të vrarë

06/01/2012 03:14

Persona të armatosur kanë sulmuar një kishë në veri-lindje të Nigerisë duke vrarë të paktën gjashtë vetë, sipas dëshmisë së vetë priftit të kishës.

Johnson Jauro tha se vrasjet ndodhën kur persona të armatosur hynë në Kishën “Jeta e thellë” në Gombe.

Ai tha se në mesin e të vrarëve ishte edhe gruaja e tij. Ndërsa dhjetë persona të tjerë u plagosën.

Nigeria ka përjetuar kohët e fundit një rritje të dhunës etnike dhe sektare. Ndërkohë që qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në disa pjesë të vendit.

“Agresorët filluan të shtinin. Ata qëlluan nga dritaret e kishës, dhe shumë njerëz u vranë, duke përfshirë gruan time,” tha z. Jauro për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Shumë anëtarë të cilët merrnin pjesë në shërbimin e kishës u plagosën.”

Asnjë grup nuk mori përsipër sulmin, por grupi islamist Boko Haram kohët e fundit ka kryer një seri shpërthimesh në ditën e Krishtlindjeve, duke përfshirë edhe sulmin kundër një kishe në kryeqytetin Abuja, ku mbetën të vrarë dhjetëra njerëz.

Më parë të enjten, dy anëtarë të dyshuar të Boko Haram u arrestuan pas një vrasje babë e i bir në Maiduguri, në shtetin fqinjë Borno.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA