Një nënë mbyti qëllimisht vajzën e saj të vogël në një kovë, ndërsa i dashuri “sodiste” aktin, në një lidhje direkte nëpërmjet internetit në “Skype”.
Krimi i përbindshëm ka tronditur Norvegjinë, ku nëna vrasëse është quajtur simotra e Breivik, “mostra” që vrau 77 persona të pafajshëm në një ishull turistik gjatë verës.
E arrestuar pas provës së videos, 26-vjeçarja Yasmin Chaudhry pretendoi se nuk kishte si qëllim të vriste fëmijën 1-vjeçar, por vetëm t’i “jepte një mësim të mirë”, pasi nuk i bindej urdhërave të saj.
Ajo u shpreh fillimisht në spital se e bija kishte rënë në kovë aksidentalisht dhe fillimisht u la e lirë, pasi fatkeqësi të tilla midis të porsalindurve janë të njohura.
Megjithatë, pasi u arrestua kur “Skype” i ofroi videon policisë, norvegjezja pretendoi se ishte i dashuri i saj britanik ai që i kishte kërkuar që të vriste fëmijën.
Partneri i nënës mostër është arrestuar gjithashtu, pasi Norvegjia ka lëshuar ndaj tij një mandat arresti ndërkombëtar për bashkëpunim në vrasjen e një të mituri në rrethana cilësuese. Po aq shokuese sa veprimi i çmendur i 26-vjeçares është edhe heshtja e tij ndërsa krimi po konsumohej. Ai ndodhet në një burg britanik në pritje të gjyqit të ekstradimit.
Babai i vërtetë i foshnjes jeton në Pakistan, pasi ishte divorcuar nga norvegjezja. Ai e cilësoi veten si “thellësisht të tronditur dhe të skandalizuar”.
Top Channel