Një virus kompjuterik ka vjedhur deri tani 45 mijë emra përdoruesish dhe fjalëkalime në “Facebook”, bënë të ditur ekspertë të sigurisë kompiuterike.
Shumica e adresave të vjedhura janë regjistruar në Britaninë e Madhe dhe Francë, por asnjë vend nuk është i imunizuar nga virusi. Firma kompjuterike “Seculert” dhe “Facebook” kanë pranuar lajmin. Rrjeti social bëri me dije se është duke punuar për të ndrequr problemin.
Virusi, i quajtur “Ramnit”, qarkullon në internet që prej prillit 2010 dhe më parë ka vjedhur detaje bankare. Versioni që ka goditur “Facebook” është disi më i ndryshëm nga origjinale dhe është krijuar për të qenë më i sofistikuar.
”Ata që fshihen pas këtij virusi janë duke u përpjekur që të përdorin kredencialet e vjedhura për t’i dërguar linqe të rreme të njohurve të viktimave të tyre, në mënyrë që të përhapin virusin sa më shumë”, shkruhej në komunikatën e “Seculert”.
”Për më tepër, këta keqbërës kibernetikë janë duke u favorizuar nga fakti që shumica e përdoruesve tentojnë të përdorin të njëjtin fjalëkalimin në faqe të ndryshme, për t’u përhapur në një mënyrë sa më të shpejtë”.
Tendenca e goditjes së rrjeteve sociale ka ardhur në rritje të vazhdueshme, pasi ato janë një “thesar” i vërtetë për piratët, falë informacioneve të mëdha që përmbajnë.
Llogaritë e prekura nga ky virus nuk japin asnjë shenjë dhe viktimat nuk kanë asnjë mënyrë për të ditur nëse të dhënat e tyre janë vjedhur. “Facebook” këshillon si masë paraprake moshapjen e linqeve dhe të dhënave të tjera të dyshimta që rekomandohen prej miqve.
Top Channel