Egjipt, kërkohet dënimi me vdekje për Mubarak

05/01/2012 15:15

Prokurorët në gjyqin ndaj ish-udhëheqësit të Egjipit, Hosni Mubarak, kërkuan të enjten dënimin e tij me vdekje.

Akuza më e rëndë që rëndon mbi 83-vjeçarin Mubarak është ajo e urdhërimit të vrasjeve, gjatë dy muajve të revoltave që sollën fundin e regjimit të tij, në fillim të vitit të shkuar.

”Ligji parashikon dënimin me vdekje për vrasje të paramenduar dhe ky është ndëshkimi që ne kërkojmë ndaj të pandehurit”, u shpreh kryeprokurori i vendit, Mustafa Suleiman.

Ndërkohë, dy djemtë e njeriut që drejtoi për 32 vjet me radhë vendin e madh afrikan, Gamal dhe Alaa, po ndiqen në të njëjtin gjyq për akuzat e korrupsionit.

”Si ka mundësi që Presidenti i Republikës të mos jetë në dijeni të vrasjeve që po ndodhnin në demonstratat që shpërthyen në 25 janar?”, pyeti Suleiman avokatët mbrojtës të udhëheqësit.

Në seancën e së enjtes, kryeprokurori argumentoi se Ministri i Brendshëm, Habib el-Adly, nuk mund të kishte vepruar me kokën e tij dhe të urdhëronte qëllimin e protestuesve pa u konsultuar fillimisht me Mubarakun.

Mundësia e kërkimit të dënimit me vdekje ishte përfolur edhe më parë gjatë muajit, por deri të enjten, akuza nuk kishte folur asnjëherë zyrtarisht për mundësinë e dënimit kapital.

840 persona u vranë në Egjipt nga forcat e sigurisë në janar dhe shkurt, në revoltat që sollën fundin e regjimit të ish-Presidentit autoritar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA