Regjimi sirian ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë ndërhyrë në misionin e vëzhguesve arabë, të ardhur në Siri për të mbikëqyrur situatën në terren.
“Deklaratat amerikane përbëjnë një ndërhyrje flagrante në misionin e Ligës Arabe dhe një tentative të pajustifikueshme për të ndërkombëtarizuar cështjen siriane”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Damaskut, Jihad Makdessi.
Kreu i Ligës Arabe, Nabil el-Arabi, konfirmoi në ditët e fundit se vrasjet në Siri vazhdojnë, por askush nuk ka të dhëna të sakta.
Ai gjithashtu tha se vëzhguesit sirianë janë kthyer nga disa prej zonave më të prekura nga dhuna dhe kanë nisur të hartojnë një raport paraprak.
Ditën e djeshme, aktivistë të të drejtave të njeriut njoftuan se një grup ushtarësh dezertorë vranë 18 ushtarë të regjimit të presidentit Bashar al Assad.
Ushtarët qëlluan ndaj një poste ushtarake pranë qytetit jugor të Jasemit, duke vrarë të gjithë antarët e patrullës.
Ndërkohë, krerët e Ligës Arabe vlerësuan ndër të tjera se kërcënimi më i madh për qytetarët që protestojnë kundër regjimit vjen nga snajperat e ushtrisë siriane.
“Kam folur me kreun e misionit tonë dhe më ka pohuar se ka ende të shtëna, ka snajpera. Ne kërkojmë që të gjitha shenjat e dhunës të zhduken, edhe pse është e vështirë të themi se cilët qëllojnë”, tha El-Arabi.
Top Channel