I mbijetoi dy herë dënimit me vdekje në dhomat e gazit e tashmë ka gjetur një familje ku ka të sigurtë, ushqimin, fjetjen e ku jeton e lumtur, bashkë me…pronarët e saj.

Kjo është historia e Andreas, maces “që nuk deshi të vdiste”. Tashmë në “jetën e saj të tretë”, macja e sheh veten të “adoptuar” nga një familje në Utah të Shteteve të Bashkuara.

Pikërisht në Utah, në muajin tetor, felini iu nënshtrua “ekzekutimit” të parë. Macja kishte statusin e endecakes dhe sipas ligjeve të shumë shteteve amerikane, ekzekutimi i saj ishte i pashmangshëm. Për këtë ajo iu nënshtrua ekzekutimit me gaz duke u mbyllur në një dhomë.

Andrea i mbijetoi eutanazisë së parë dhe arriti të ishte e “vetëdijshme” pas hapjes së derës së dhomës së ekzekutimit të kafshëve. Pikërisht për këtë, personeli që merrej me ekzekutimin e kafshëve endacake, vendosi ta fusë edhe njëherë tjetër në dhomë. Në “ekzekutimin e dytë” Andrea “humbi ndjenjat” dhe pas hapjes së derës, personeli, duke kujtuar se felini kishte ndërruar jetë, e fut në një qese plastike për të flakur trupin e pajetë në vendgrumbullimin e përcaktuar.

Por pas disa orësh, Andrea është “ringjallur” dhe është gjetur nga një banore dhe aktiviste për mbrojtjen e kafshëve në Salt Lake City, duke vërtetuar edhe shprehjen “macet kanë nëntë jetë”. Historia e saj bëri bujë dhe menjëherë një familje nga Utah doli vullnetare për adoptimin e saj.

Historia e rrallë e maces “që s’donte të vdiste” po bën xhiron në Shtetet e Bashkuara dhe ka rihapur edhe njëherë debatin për përdorimin e dhomave të gazit për ekzekutimin e kafshëve endacake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA